Gjykata urdhëron burgjet për mbrojtje të rreptë për vëllain e Nuredin Dumanit, i dyshuar për masakrën në Bradashesh
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka urdhëruar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe zyrtarët e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale që të marrin masa të menjëhershme për garantimin e jetës dhe shëndetit të Dashnor Dumanit.
Vendimi vjen si masë shtrënguese për shkak të rrethanave të veçanta në të cilat ndodhet i hetuari, i cili është vëllai i të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani.
“Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe zyrtarët përkatës të IEVP-së, të marrin masa për sigurinë e jetës dhe të shëndetit të personit nën hetim, Dashnor A. Dumani, patur parasysh situatën e tij familjare në të cilën gjendet”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Dashnor Dumani, 40 vjeç, ishte në kërkim për më shumë se një vit, pasi ndaj tij ishin dhënë masa sigurie në mungesë për vrasje dhe vjedhje të kryera në kuadër të një organizate kriminale. Ai u ekstradua nga Dubai së bashku me Armes Stafën, i kërkuar për pastrim parash dhe i dyshuar si anëtar i grupit kriminal të Çopjave në Elbasan.
I dyshuar për masakrën në Bradashesh
Sipas hetimeve të SPAK, Dashnor Dumani dyshohet për përfshirje në masakrën e trefishtë të ndodhur në Bradashesh në vitin 2018, ku u vra edhe vëllai i Erjon Alibej, një tjetër i penduar i drejtësisë që po bashkëpunon në zbardhjen e një sërë ngjarjesh kriminale në vend.
Gjykata thotë se ka indicie se Dashnor Dumani ka pasur rolin e ekzekutorit në këtë atentat, një pretendim që kundërshtohet nga vëllai i tij, Nuredin Dumani, i cili ka deklaruar se personi në fjalë nuk ka marrë pjesë në vrasje.
Sipas dëshmive, Erjon Alibej kishte rekrutuar Nuredin Dumanin si vrasës me pagesë për të eliminuar kundërshtarët e tij, mes të cilëve më i kërkuari ishte Talo Çela.
Çështja mbetet në hetim intensiv nga SPAK, ndërsa vëzhgimi i rreptë ndaj Dashnor Dumanit do të vijojë në institucionin ku ai ndodhet i paraburgosur.