Gjashtë ditë luftë me flakët në Delvinë dhe Finiq/ Banorët rikthehen në shtëpi, vatrat mbahen nën kontroll

Pas më shumë se gjashtë ditësh përballje intensive me zjarret, situata në zonat e Delvinës dhe Gjirokastrës është vendosur nën kontroll, megjithëse pasojat janë të rënda dhe vlerësimi i tyre pritet të zgjasë. Autoritetet paralajmërojnë se bashki të vogla si Delvina dhe Finiqi nuk kanë kapacitete financiare për të kompensuar dëmet e shkaktuara.
Zjarret shkatërruan rreth 60 kilometra katror tokë, duke përfshirë banesa, bagëti, vreshta, ullishte, koshere bletësh, rezervat ushqimore të kafshëve, rrjetin e ujësjellësit dhe furnizimin me energji elektrike. Shumë banorë, përfshirë edhe të moshuarit, deklarojnë se nuk kanë parë ndonjë situatë të ngjashme më parë.
Zjarrfikësit dhe trupat e Forcave të Armatosura u angazhuan maksimalisht, shpesh pa ndërprerje dhe me mjetet e kufizuara, ndërsa helikopterët kryen fluturime të vazhdueshme në kushte të vështira. Rreth 1,000 banorë të evakuuar janë rikthyer në shtëpi për të marrë masa stabilizimi, ndërsa vizitorët këshillohen të shmangin zonat e rrezikshme.
Parku natyror “Syri i Kaltër” mbetet i mbyllur për publikun, pasi rreziku i riaktivizimit të zjarreve vazhdon në disa zona, përfshirë Syrin e Kaltër, fshatin Varfaj dhe majën e Golikut në Tepelenë. Vatra të tjera që deri dje ishin aktive janë tashmë të fikura, ndërsa ekipet zjarrfikëse dhe vullnetare vazhdojnë monitorimin e çdo pikë të djegur për të parandaluar rindezjen e flakëve.
Ekspertët dhe autoritetet paralajmërojnë se, pas shuarjes së plotë të vatrave, duhet të nisë një hetim i detajuar për të përcaktuar përgjegjësitë, ndëshkuar zjarrvënësit dhe analizuar masat e marra.
Pavarësisht angazhimit maksimal të forcave në terren, përmasat e dëmeve tregojnë se situata ka dalë jashtë kontrollit në momente kritike për shkak të mungesës së mjeteve, stafit të trajnuar dhe një organizimi efektiv.


