Gazetari publikon mesazhin: Kryetari i Bashkisë Librazhd i kërkon administratës "duartrokisni Ramën, duhen entuziastë"

Një mesazh i publikuar në rrjetet sociale ka ngjallur reagime, pasi pretendohet se kryetari i Bashkisë së Librazhdit, Mariglen Disha, u ka kërkuar punonjësve të administratës të jenë të pranishëm dhe entuziastë gjatë pritjes së kryeministrit Edi Rama.
Sipas mesazhit të shpërndarë në një grup komunikimi në WhatsApp, Disha u kërkon vartësve të sigurojnë pjesëmarrje në aktivitet dhe të duartrokasin kryeministrin gjatë vizitës së tij në qytet.
Mesazhi është bërë publik nga një gazetar, i cili e ka cilësuar atë si një përpjekje për të mobilizuar administratën në funksion të aktivitetit politik. Deri tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Bashkia e Librazhdit lidhur me vërtetësinë e mesazhit apo përmbajtjen e tij.
Publikimi i këtij komunikimi ka hapur debat në rrjetet sociale mbi përfshirjen e administratës publike në aktivitete me karakter politik.
