Festoi Vitin e Ri me të shtëna armësh dhe e postoi videon, arrestohet shqiptari! Google Earth i zbuloi 'depo' në banesë

Policia italiane ka arrestuar një të ri shqiptar që kishte qëlluar me armë natën e Vitit të Ri për të festuar dhe më pas e kishte publikuar videon në rrjetet sociale.
Ngjarja ka ndodhur në Aprilia, gjatë momentit të festimeve të ndërrimit të viteve. Policia tha se hetimi ka nisur pikërisht nga rrjetet sociale.
Gjithashtu u sekuestruan 9 armë e fishekë, mes tyre 7 pistoleta të markave të ndryshme.
Rasti u zbulua falë monitorimit të burimeve të hapura nga komisariati i Cisternës dhe skuadra hetimore e Latina.
Videoja e publikuar në rrjetet sociale, tregonte të dyshuarin duke qëlluar nga tarraca e një pallati.
Duke krahasuar pamjet e filmimit me informacionin nga Google Earth, agjentët mundën të identifikonin autorin dhe vendndodhjen e incidentit.
Kjo çoi më tej edhe në zbulimin befasues, pasi shqiptari e kishte kthyer shtëpinë në një depo armatimesh, informon media.
Disa armë, fishekë dhe gëzhoja u sekuestruan, të vendosura nëpër valixhe, të ngjashme me ato që përdorin trafikantët e armëve. Arsenali ishte vendosur brenda një dollapi pa bravë.


