Europa në ALARM TË KUQ! Parisi përgatitet për temperatura të paprecedenta, "kyçet" Kulla Eiffel

Autoritetet franceze kanë marrë masa emergjente për të mbrojtur parisienët, ndërsa Evropa është përfshirë nga një valë e të nxehtit që ka çuar temperaturat në mbi 45 gradë Celsius.
Kulla Eiffel është mbyllur, automjetet në qytet janë ndaluar dhe janë vendosur kufizime shpejtësie, ndërsa Parisi përgatitet për temperatura përvëluese sot.
Meteo France parashikoi temperatura maksimale nga 36 deri në 40 gradë Celsius me kulme në 41 gradë Celsius në disa zona, me paralajmërime për nxehtësi ekstreme në fuqi në 16 departamente në të gjithë vendin.
Operatorët e Kullës Eiffel mbyllën monumentin 330 metra të lartë në orën 11:00 të hënën, sipas raportimeve të mediave lokale. Ata thanë se do të mbetej e mbyllur të martën dhe të mërkurën "për shkak të valës së të nxehtit aktual".
Meteo-France paralajmëroi gjithashtu për rrezikun në rritje të zjarreve për shkak të tokës së goditur nga thatësira, e përkeqësuar nga mungesa e shiut në qershor dhe rritja e fundit e temperaturave.
Zjarret e para pyjore në Francë për këtë sezon dogjën 400 hektarë (988 akra) pyje të dielën dhe të hënën në rajonin Aude në jug. Shërbimi rajonal i emergjencave tha se u mobilizuan aeroplanë për hedhjen e ujit dhe rreth 300 zjarrfikës. Turistët u evakuuan nga një kamping në zonë.
Në Turqi, zjarret në pyje të nxitura nga erërat e forta dëmtuan disa shtëpi pushimi në rajonin Doganbey të Izmirit dhe detyruan mbylljen e përkohshme të aeroportit në Izmir, raportoi agjencia shtetërore Anadolu.
Në Spanjë, Barcelona raportoi muajin më të nxehtë të qershorit që nga fillimi i regjistrimeve më shumë se 100 vjet më parë. Vendi dukej se arriti një rekord të ri për qershorin të shtunën kur u regjistrua 46 gradë Celsius në provincën jugore të Huelvës, ndërsa mesatarja kombëtare e së dielës prej 28 gradësh vendosi një rekord për temperaturën më të lartë për 29 qershorin që nga fillimi i mbajtjes së të dhënave në vitin 1950.


