Ermal Beqiri dëshmon para autoriteteve franceze: Ulja e avionit, e paqëllimshme. Po flisja me nënën time

Ermal Beqiri, një nga personat e shpallur në kërkim nga SPAK për aferën e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), është arrestuar në Francë pas një operacioni që nisi me një fluturim të dyshimtë pranë një centrali bërthamor.
44-vjeçari u ndalua në qytetin Amiens, pasi u identifikua nga autoritetet franceze si personi i kërkuar ndërkombëtarisht nga Shqipëria.
Ngjarja nisi kur Forcat Ajrore dhe të Hapësirës të Francës vunë re një avion të lehtë që fluturonte në lartësi të ulët mbi centralin bërthamor të Penly.
Avioni u shoqërua nga autoritetet franceze drejt aeroportit Albert, ku piloti shqiptar u ndalua për verifikime.
Gjatë kontrollit, mediat franceze raportuan se në avion u gjetën tre pajisje Airtag, të cilat shërbejnë për gjurmim të objekteve. Gjatë marrjes në pyetje, Beqiri u shpreh se ulja e lartësisë kishte qenë e paqëllimshme, pasi në atë moment ishte duke biseduar në telefon me nënën e tij.
Përgjigjet e tij ngritën dyshime te autoritetet franceze, të cilat më pas komunikuan me palën shqiptare dhe konfirmuan se bëhej fjalë për Ermal Beqirin, personin e shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Sipas Policisë së Shtetit, Beqiri është vendosur në paraburgim dhe pritet të dalë para Gjykatës Penale të Amiens, ku do t’i komunikohet zyrtarisht kërkimi ndërkombëtar dhe do të nisin procedurat për ekstradimin drejt Shqipërisë.
Beqiri kërkohet nga drejtësia shqiptare për disa vepra penale, mes tyre heqja e paligjshme e lirisë, konkurrenca e paligjshme përmes dhunës, shkelja e barazisë në tendera publikë, krijimi i grupit të strukturuar kriminal dhe pastrimi i produkteve të veprës penale.
Sipas hetimeve, ai dyshohet se në bashkëpunim me Ergys Agasin ka krijuar një grup të strukturuar kriminal brenda AKSHI-t, duke ushtruar presion ndaj biznesmenëve për t’u tërhequr nga procedurat e tenderëve.
Kompanitë e lidhura me Beqirin dyshohet se kanë përfituar tendera me vlera miliona euro. Për të njëjtën çështje janë nën hetim edhe ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, ish-zv.drejtoresha Hava Delibashi, si dhe disa biznesmenë e zyrtarë policie.
Arrestimi në Francë pritet të hapë tashmë rrugën për procedurat ligjore që do të përcaktojnë kthimin e tij në Shqipëri.


