Emri/ Plagosi me armë zjarri të riun brenda zyrës elektorale të PD, identifikohet autori

Policia ka identifikuar autorin e plagosjes së 27-vjeçarit, Bledar Oshtuni brenda zyrës elektorale të PD në Kavajë. Sipas policisë, autori i ngjarjes është shtetasi Ndriçim Jonuzi, i cili është shpallur në kërkim.
Njoftimi i policisë
Kavajë/Informacion paraprak Plagosi me armë zjarri 27 vjeçarin, identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar.
Vijon krehja e zonës për kapjen e tij. Sot rreth orës 19:00, në lagjen nr.4, në Kavajë, shtetasi N. J., dyshohet se si pasojë e një konflikti për motive të dobta, ka hyrë në ambientet e brendshme të një zyre elektorale të një subjekti politik dhe ka plagosur me armë zjarri pistoletë në këmbë shtetasin B. O., 27 vjeç, i cili ndodhet në spitalin e Durrësit, nën kujdesin e mjekëve.
Menjëherë forca të shumta Policie kanë shkuar në vendngjarje dhe vijon krehja e zonës si edhe janë ngritur pika kontrolli në hyrje -dalje të Qytetit për kapjen e autorit. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.


