“Edi Rama të çojmë fjalë, ty shqipet kan me t’ndal”, protestuesja nga diaspora: Do të jemi këtu çdo ditë!

Një protestuese nga diaspora shqiptare ka marrë fjalën gjatë tubimit qytetar në Tiranë qw sapo ka nisur, duke theksuar kontributin që emigrantët japin për familjet e tyre dhe duke premtuar se do të jenë të pranishëm në protestë çdo ditë.
“Jam sot këtu për të treguar se diaspora nuk është këtu vetëm një ditë, por do të jemi çdo ditë”, deklaroi ajo para pjesëmarrësve.
Në fjalën e saj, protestuesja vuri theksin te mbështetja ekonomike që emigrantët u japin familjeve në Shqipëri, duke thënë se ata blejnë ilaçet për prindërit, paguajnë faturat e ujit dhe energjisë elektrike dhe ndihmojnë në përballimin e shpenzimeve të përditshme.
“Le ta themi hapur, diaspora blen ilaçet e shëndetësisë falas për nënat dhe baballarët, paguan ujin dhe dritat. Pa diasporën, mijëra familje nuk do të arrinin të mbijetonin”, u shpreh ajo.
Protestuesja e përshkroi emigracionin si një sakrificë të vazhdueshme, duke kujtuar nënat dhe baballarët që jetojnë larg fëmijëve të tyre, si edhe të rinjtë që punojnë jashtë vendit për të mbështetur familjet në Shqipëri.
Sipas saj, vendi “mbahet gjallë nga ata që punojnë larg”, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve dhe diasporës të vazhdojnë angazhimin e tyre në protestat që po zhvillohen në kryeqytet.


