Dhjetëra vatra zjarri në Shkodër, situata më kritike në Fushë-Arrëz, dy banesa evakuohen

Aktualitet

Dhjetëra vatra zjarri në Shkodër, situata më kritike në

Dhjetëra vatra zjarri janë regjistruar gjatë 24 orëve të fundit në qarkun e Shkodrës, ku situata më kritike vijon të jetë në bashkinë Fushë-Arrëz. Shumica e vatrave janë izoluar falë ndërhyrjes së shpejtë të forcave zjarrfikëse, policisë, shërbimit pyjor dhe ushtrisë, por vatra në këtë zonë ka shkaktuar evakuimin e dy banesave.

Në qytetin e Shkodrës janë shënuar 11 zjarre në zona të ndryshme, përfshirë fshatrat Dragoç, Postribë, Ura e Shtrejtë, Bardhaj, Dajç, Suka Dajç, Berdicë dhe lagjen Kiras. Të gjitha këto vatra u shuan në kohë, duke shmangur përhapjen e mëtejshme. Një vatër zjarri u lokalizua edhe në zonën pyjore Baks–Rrjoll (Kënetë Domni), e cila aktualisht mbetet e izoluar falë pranisë së sipërfaqes ujore pranë saj.

Bashkia Shkodër ka dërguar dy automjete zjarrfikëse në ndihmë të bashkive Vau Dejës dhe Malësi e Madhe. Në këtë të fundit janë raportuar dy vatra zjarri, por aktualisht nuk ka zjarr aktiv në territor.

Në bashkinë Vau Dejës janë regjistruar katër vatra zjarri, me rastin më problematik në fshatin Hajmel. Fatmirësisht, asnjë banesë apo banor nuk është dëmtuar. Në Pukë janë shënuar dy raste, ku një vatër në fshatin Mesul vazhdon të jetë aktive dhe paraqet rrezik për shkak të erës së fortë. Një automjet zjarrfikës dhe efektivë janë në vendngjarje për të parandaluar përhapjen.

Në Fushë-Arrëz situata është më alarmante. Zjarri filloi në fshatin Xath dhe për shkak të erës së fortë u përhap drejt fshatit Flet dhe zonës “Kunorë Dardhe”. Flakët po digjin pyje me pisha dhe bimësi të ndryshme në terren malor, duke vështirësuar ndërhyrjen nga toka. Për shkak të rrezikut, dy banesa u evakuuan dje, por aktualisht nuk janë në rrezik.

Autoritetet janë në gatishmëri maksimale dhe vazhdojnë punën për menaxhimin dhe shuarjen e zjarreve në të gjitha zonat e prekura.

ME TE LEXUARAT