Detaje/ Elton Meta 1 vit më parë e mori peng 23-vjeçaren, drejtësia e la të lirë

Detaje të reja kanë treguar se autori i vrasjes së 23-vjeçares në Fier, nuk ka bërë asnjë ditë burg. Report Tv ka siguruar 2 vendime të gjyqtarit të Fierit Piro Sota, i cili fillimisht më 1 mars 2021, ka vendosur mjekimin e detyruar në një institucion mjekësor të Elton Metës, mbi kërkesën që prokurori Çlirim Sina bëri në janar, për ta larguar 31-vjeçarin nga paraburgimi i Fierit drejt spitalit të burgut të Zaharisë në Krujë.
Gjykata kështu, pushoi përgjegjësitë penale të Metajt për veprat e kryera mbi argumentin se ka probleme të shëndetit mendor. Por vetëm 5 muaj më pas, më 27 korrik 2021 i njëjti gjyqtar, Piro Sota, mbi një kërkesë të avokatit të Elton Metës, Kujtim Cakrani, vendosi daljen nga spitali i burgut të Zaharisë, dhe mjekimin e detyruar ambulator në kujdesin e babait.

Pra nga një njeri me probleme të shëndetit mendor që duhet izoluar në spital, për vetëm 5 muaj, Elton Meta, jo për faj të tij, por me vulën e drejtësisë, ishte tashmë një njeri i lirë për të qëndruar dhe kuruar me ilaçe depresioni në shtëpi dhe vizita tek mjeku neuro-psikiatër, aspak i rrezikshëm për shoqërinë dhe të afërmit e tij.
Në të dyja vendimet, ndër të tjera, provë kanë qenë raportet e ekspertëve të Institutit të Mjekësisë Ligjore. Nëse në rastin e parë, ishte prokurori Clirim Sina që kërkoi rehabilimin në spital psikiatrik, herën e dytë ishte avokati Kujtim Cakrani që kërkoi daljen e të riut nga spitali. Këtu, gjyqtari Piro Sota caktoi të tjerë ekspertë të Instititut të Mjekësisë Ligjore, që sëmundjen e Metës e çuan në nivelin e kujdesit në shtëpi.


