Vrasja e 23-vjeçares në Fier, Spiropali: ILD të hetojë krejt hallkat e zinxhirit prokurori- gjykatë

Për vrasjen e 23-vjeçares në Fier nga ish- bashkëshorti, ka reaguar Elisa Spiropali. Në një postim në Facebook, ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin i bën thirrje ILD-së që të hetojë prokurorin dhe gjyqtarin që është marrë me çeshtjen e autorit të vrasjes.
31-vjeçari para dy muajsh u lirua nga burgu, pasi iu ndryshua masa e sigurisë.

“Sabrina 23 vjeç, nënë e një vajze 3 vjeçe, gjeti vdekjen makabre nga një kriminel i liruar rishtas në rrethana të errëta. Vrasja e grave dhe vajzave në familje është krim i llahtarshëm brenda një kodi maskilist patriarkal të atyre që gruan e shohin si pronë me të cilën mund të bëjnë gjithçka; ta mbajnë, ta shesin, ta blejnë, ta dhunojnë, e madje edhe ta asgjesojnë.
Këto krime të rënda lehtësohen dhe ndihmohen nga padrejtësi sistemike dhe praktika korruptive në sistemin e drejtësisë. Për të nxjerrë të vërtetën dhe për të dënuar sipas ligjit autorët, i bëj thirrje Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë të kryejë HETIM të thelluar të këtij rasti makabër në krejt hallkat e zinxhirit prokurori- gjykatë.

Lufta kundër këtij fenomeni kërkon përgjegjësi institucionale dhe dënime shembullore, që raste të tilla të mos përsëriten duke lënë pas trishtimin dhe vulën e turpit mbi një shoqëri të tërë. U prehsh në paqe Sabrinë! Ngushëllime familjarëve!”, shkruan Spiropali.
Ngjarja e rëndë ndodhi një natë në parë në Fier. Viktima, Sabrina Bengaj kishte një vit që ishte ndarë nga bashkëshorti, dhe kishin një fëmijë bashkë.


