Mbajti peng fëmijët, dëshmia e Aleks Markut: Dashnorët e gruas erdhën për të na sulmuar

Aleks Marku, 40-vjeçari i cili ditën e djeshme terrorizoi fëmijët e tij në një apartament me qira në zonën e Shkëmbit të Kavajës në Durrës ka dëshmuar para hetuesve. Ai pranon se ka pasur konflikte me bashkëshorten, Bardha Marku dhe pretendon se kjo e fundit kishte lidhje me dikë tjetër.
Ndërkohë që pohon se në apartmentin ku shkoi mori fëmijët sepse donte t’i largonte nga i dashuri i gruas.
Ditën e djeshme, kur u arrestua, pretendon se “i dashuri i gruas” kishte shkuar për ta sulmuar prandaj kishte dalë me kallashnikov në dritare.
Aleks Marku: Unë me fëmijët kam katër ditë që qëndroja në shtëpi në plazh dhe fëmijët ishin shumë mirë me mua. Gruaja kishte ikur në Itali dhe kemi disa kohë që kemi debate me njëri-tjetrin. Nga debati i fundit që patëm ajo u largua për në Itali dhe unë mora fëmijët dhe erdhëm në Durrës. Ajo ka dashnor dhe prandaj doja t’i largoja fëmijët.
Dje në shtëpi kanë ardhur dashnorët e saj për të na sulmuar dhe unë prandaj dola në dritare duke qëlluar që të largoheshin. Nuk i kam bërë gjë fëmijëve, thjesht djalin e mora me vete në ballkon kur po qëlloja, që ta kisha dëshmitar. Nuk jam treguar i dhunshëm me fëmijët.


