Del foto e Gerjana Arapit, bashkëaksioneres së ‘International Medicare’! Spitali privat reklamonte transplant floku 980 euro

Report Tv ka siguruar foton e Gerjana Arapit, 32 vjeç, bashkëaksionerja e spitalit privat International Medicare, që u mbyll sot nga Policia e Tiranës pasi nuk ka deklaruar fitimet në vlerën e 1 milion eurove, dhe se shërbimet spitalore kryheshin me produkte të ndaluara për përdorim, të skaduara dhe kontrabandë.
Ajo është e shpallur në kërkim, së bashku me turkun Bilal Kara, bashkëaksioneri tjetër. Ndërkohë, spitali reklamonte në rrjetet sociale një sërë shërbimesh që ofronin, duke nisur filleri i buzëve, transplanti i flokëve 980 euro, e shumë ndërhyrje të tjera estetike.
Gjatë operacionit, i vetmi që u arrestua ishte administratori Edmond Zaja, 62 vjeç, ndërsa në kërkim u shpallën 2 bashkëaksionerët, turku Bilal Kara, 45 vjeç, me një karrierë të gjatë në fushën e ndërhyrjeve estetike, si dhe Gerjana Arapi, 32 vjeçe. Të dy, sipas burimeve pranë Policisë së Tiranës, aktualisht rezultojnë jashtë territorit të vendit, ndërsa në vijim, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar pritet lokalizimi dhe arrestimi i tyre.
"Gjatë operacionit “Bilanci”, shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare arrestuan administratorin e spitalit, shtetasin E. Z., 62 vjeç, si dhe shpallën në kërkim bashkaksionerët e subjektit, shtetasin turk B. K., 45 vjeç dhe shtetasen shqiptare G. A., 32 vjeçe.
Gjatë periudhës hetimore disamujore, në koordinim me Prokurorinë e Tiranës, si dhe nga kontrollet në subjekt, u konstatua se nëpërmjet lëshimit të faturave të pafiskalizuara, ishte kryer evazion fiskal me vlerë mbi 1 000 000 euro. Gjithashtu, në spital përdoreshin medikamente të dyshuara të kontrabanduara, të ndaluara për përdorim, nga autoritetet kompetente, si dhe ishin punësuar pa u siguruar, 5 shtetas", njoftoi Policia e Tiranës.
Nga ky operacion, përveç bllokimit të aktivitetit dhe zbardhjes së skandalit të përdorimit të medikamenteve të rrezikshme, si prova materiale u sekuestruan 100 blloqe me mandate të pa fiskalizuara, 27 lloje medikamentesh që përdoren për ndërhyrje fillerash, botoksi dhe mbjellje flokësh, të skaduara, dhe 6 kompjuterë, të cilët do të ekspertohen për thellim të hetimeve.


