“Burrin e qëlloi me çekiç”- Detaje nga vrasja në Mamurras, viktima ishte me gruan në makinë. Dëshmitarët: Tentuam ta ndalonim, por…

Pas një konflikti verbal se kush kalon i pari në rrugë me makinë, 28-vjeçari Andi Vokrri nga Thumana ka goditur me çekiç në kokë 57-vjeçarin Petrit Ndou, i cili më pas ka humbur jetën. Ngjarja ka ndodhur mbrëmë pak pas mesnatës rreth orës 00:40, në aksin Thumanë-Krujë, në një rrugë rurale pranë fshatit Bushnesh
I riu u arrestua menjëherë, teksa në Komisariat u shoqëruan edhe persona të tjerë mes tyre edhe bashkëshortja e viktimës.
Para bluve 28-vjeçari i cili ka rezultuar i dehur në timon ka dëshmuar se nuk e ka vrarë ai 57-vjeçarin, teksa ka theksuar se ata vetëm u konfliktuan pasi makinat u prekën me njëra-tjetrën. Por bashkëshortja e viktimës e cila ishte e pranishme thotë se i riu e qëlloi me çekiç duke hedhur poshtë pretendimet e 28-vjeçarit.
Nga ana tjetër edhe dy personat që ishin pasagjerë në makinën e 28-vjeçarit kanë dëshmuar se kanë tentuar ta ndalojnë por autori i dyshuar ka ikur vetë me çekiçin në dorë. E ka qëlluar vetëm 1 herë me çekiç në kokë dhe Ndou ka gjetur vdekjen.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të ngjarjes.


