Bllokimi i spitalit ‘International Medicare, aksionerët "ia mbathin"! Shisnin medikamente të skaduara që prej dy vitesh

Klinika ‘International Medicare’ u bllokua pasi nuk deklaroi 1 mln € fitime. Pas operacionit ku në pranga ra administratori Edmond Zaja në kërkim janë shpallur 2 aksionerët e klinikës. Burime bëjnë me dije Bilal Kara dhe Geriana Arapi, rezultojnë të jenë jashtë territorit shqiptar.
Gjatë kontrolleve në këtë klinikë uniformat blu gjetën medikamente të skaduara që në shkurt të 2023-it. Kështu një nga medikamentet që përdorej në këtë klinikë ishte edhe 'Thiopental VUAB'. Është një anestetik me veprim shumë të shpejtë që përdoret si anestetik intravenoz. Jepet për induksionin e anestezisë para ndërhyrjeve kirurgjikale.
Nga ky operacion, përveç bllokimit të aktivitetit dhe zbardhjes së skandalit të përdorimit të medikamenteve të rrezikshme, si prova materiale u sekuestruan 100 blloqe me mandate të pa fiskalizuara, 27 lloje medikamentesh që përdoren për ndërhyrje fillerash, botoksi dhe mbjellje flokësh, të skaduara, dhe 6 kompjuterë, të cilët do të ekspertohen për thellim të hetimeve.
Report Tv mundi të siguroj foto të disa prej medikamenteve të gjetura në këtë klinikë, një pjesë e të cilave rezultojnë që në vitin 2023 të skaduara, por që në klinikën dentare të Bilal Kara, konsull turk në Maqedoninë e Veriut, përdoreshin për injeksione, ndërhyrje apo anesetezi.
Ky medikament, Rifocin 250 mg, i skaduar që prej majit të këtij viti, përdoret për infeksione të rënda bakteriale. Ndërkohë “Gadovist”, rezulton i skaduar që në 2023-shin. Të tjera medikamente, të cilat tashmë janë sekuestruar po ashtu rezultojnë ta kenë kaluar datën e skadencës.
Ndërkohë, klinika reklamonte në rrjetet sociale një sërë shërbimesh që ofronin, duke nisur filleri i buzëve, transplanti i flokëve 980 euro, e shumë ndërhyrje të tjera estetike./ report tv


