Bashkia e Shkodrës urdhëron agjencitë funerale: Largoni aktivitetin nga këto 5 zona deri më 25 shtator

Bashkia e Shkodrës ka vendosur rregulla të reja për agjencitë funerale, duke urdhëruar largimin e aktivitetit të tyre nga disa zona të qytetit. Afati i fundit për zbatimin e vendimit është 25 shtatori 2025, ndërsa mosrespektimi i tij do të çojë në masa ligjore.
Vendimi u bë publik nga kryebashkiaku Benet Beci, i cili theksoi se prania e agjencive pranë shkollave, zonave të banuara, institucioneve dhe hapësirave publike ka shkaktuar shqetësim tek qytetarët.
“Bashkia ka ndërmarrë masa konkrete për të zgjidhur këtë problem, duke vendosur rregulla të reja për funksionimin e tyre”, shkruan Beci në një postim në Facebook.
Rregullat e reja për agjencitë funerale:
• Nuk lejohet aktiviteti në Qendrën Historike të Qytetit, përfshirë rrugët Gjuhadol, Kolë Idromeno, 13 Dhjetori, 28 Nëntori dhe përgjatë rrugës Hamz Kazazi.
• Nuk mund të operojnë në godina banimi shumëfamiljare apo shtesat e tyre.
• Objektet funerale duhet të jenë të paktën 50 metra larg institucioneve arsimore.
• Nuk lejohet përdorimi i ambienteve të përbashkëta me subjekte të tjera.
• Automjetet funerale nuk mund të qëndrojnë apo të parkohen në hapësira publike.

Vendimi bazohet në Vendimin e Këshillit Bashkiak nr. 15, datë 3 mars 2025, ndërsa Bashkia publikoi edhe hartën e zonave të ndaluara, për të orientuar operatorët dhe për të garantuar respektimin e rregullave.
Kryebashkiaku Beci apelon për zbatimin e afateve dhe respektimin e rregullave ligjore për të shmangur shqetësimet për qytetarët dhe për të garantuar funksionimin e aktivitetit në mënyrë të rregullt.


