Asgjësohen mbi 4 mijë rrënjë kanabis në Shkodër, procedohen 5 kryetarë fshatrash

Aktualitet

Asgjësohen mbi 4 mijë rrënjë kanabis në Shkodër,

Forcat e Policisë së Shkodrës kanë vijuar me intensitet operacionin antikanabis “Koordinata”, gjatë të cilit janë zbuluar dhe asgjësuar 4002 bimë të dyshuara narkotike kanabis sativa, si dhe 510 gramë lëndë narkotike në formën e boçes.

Në kuadër të hetimeve nisi procedimi penal në gjendje të lirë për pesë kryetarë fshatrash, të dyshuar për përfshirje ose neglizhencë në parandalimin e veprimtarisë kriminale.

Njoftimi i Policisë:

Shkodër/Vijon operacioni policor i koduar “Koordinata”, kundër kultivimit të bimëve narkotike.

Gjenden 4002 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa dhe 510 gramë të kësaj lënde në formën e boçes.

Procedohen penalisht 5 kryetarë fshatrash, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Njësinë e Sigurisë Publike Shkodër, vijojnë me intensitet kontrollet në vijim të operacionit policor të koduar “Koordinata”, me qëllim goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike. Si rezultat i kontrolleve:

Në territoret e njësive administrative Pult, Ana e Malit, Shosh dhe Shalë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër gjetën dhe asgjësuan 4002 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa dhe 510 gramë lëndë të dyshuar narkotike në formën e boçes.

Në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë:
-për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për kryetarin e fshatit Nënmavriq, shtetasin L. L.; kryetarin e fshatit Leknikaj, shtetasin K. K.; kryetarin e fshatit Kuje, shtetasin D. V.; kryetarin e fshatit Vuksanaj, shtetasin K. Gj.;
-për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”, për kryetarin e fshatit Palaj, shtetasin K. K..

Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të autorëve të kultivimit të bimëve narkotike.

Operacioni antikanabis i koduar “Koordinata” vijon në të gjithë territorin e qarkut Shkodër.

 

 

 

ME TE LEXUARAT