Alarmi për persona të armatosur pranë tunelit të Qafës së Buallit, reagon Policia: Nuk rezulton asnjë telefonatë apo kallëzim

Aktualitet

Alarmi për persona të armatosur pranë tunelit të Qafës

Policia e Dibrës ka reaguar pas një publikimi të shpërndarë në rrjetet sociale, ku pretendohej se një drejtues automjeti ishte ndaluar nga persona të armatosur pranë tunelit të Qafës së Buallit dhe se nuk kishte marrë përgjigje pas telefonatave në Komisariatin e Policisë Bulqizë.

Sipas Policisë, menjëherë pas publikimit janë nisur verifikimet për sqarimin e plotë të rrethanave të pretenduara.

Nga kontrolli i regjistrave të Sallës Operative të Komisariatit të Policisë Bulqizë rezulton se nuk është regjistruar asnjë telefonatë që lidhet me këtë rast. Po ashtu, deri më tani, asnjë qytetar nuk është paraqitur pranë strukturave të Policisë për të bërë kallëzim për ngjarjen e pretenduar.

Reagimi

Në lidhje me një publikim të shpërndarë në rrjetet sociale, ku pretendohet se një drejtues automjeti është ndaluar nga persona të armatosur në afërsi të tunelit të Qafës së Buallit, si dhe se nuk ka marrë përgjigje pas telefonatave që pretendon se ka kryer në Komisariatin e Policisë Bulqizë, sqarojmë se:

Menjëherë pas marrjes dijeni për këtë publikim, Drejtoria Vendore e Policisë Dibër ka nisur verifikimet për sqarimin e plotë të rrethanave të pretenduara.

Nga verifikimi i regjistrave të komunikimeve të Sallës Operative të Komisariatit të Policisë Bulqizë rezulton se nuk është regjistruar asnjë telefonatë në lidhje me këtë rast. Gjithashtu, deri në këto momente, asnjë shtetas nuk është paraqitur pranë strukturave të Policisë për të bërë kallëzim lidhur me këtë pretendim.

Pavarësisht mungesës së një denoncimi, Drejtoria Vendore e Policisë Dibër dhe Komisariati i Policisë Bulqizë po vijojnë verifikimet për të përcaktuar vërtetësinë ose jo të ngjarjes së publikuar në rrjetin social JOQ.

Drejtoria Vendore e Policisë Dibër mbetet e angazhuar për trajtimin me seriozitet të çdo denoncimi dhe fton qytetarin në fjalë të paraqitet pranë strukturave të Policisë për të bërë kallëzim, si dhe për të dhënë çdo informacion që mund të ndihmojë në identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

ME TE LEXUARAT