“21 janari”, prokuroria ka një të dyshuar për vrasjen “pa autor” të Aleks Nikës

Aktualitet

“21 janari”, prokuroria ka një të dyshuar për vrasjen

Vendimi i sotëm i gjykatës së Lartë, shkaktoi një tjetër zhgënjim për familjarët e viktimave të 21 janarit, ndërkohë që në mënyrë të vecantë, kërkojnë drejtësi të afërmit e të riut nga Lezha, Aleks Nika, një vrasje e mbetur pa autor.

Megjithatë, Prokuroria shqiptare duket se ka të dyshuar për vrasjen e Aleks Nikës, protestuesit nga Lezha që mbeti i vdekur disa ditë pas skenave të tmerrshme para kryeministrisë në Tiranë në 21 janarin e vitit 2011.

Megjithëse pa një të akuzuar direkt deri tani, pasi provat shkencore “tej cdo dyshimi” sic e kërkon ligji mungojnë, prokuroria aludon në dosje për autorin dhe rrethanat në të cilat ka ndodhur vrasja e Aleks Nikës.

Për këtë vrasje, së fundi, po zhvillohen veprime hetimore brenda dhe jashtë Shqipërisë, duke mbledhur informacione e dëshmi si dhe duke kryer ekspertiza e ekzaminime të reja mbi disa armë të gardës me qëllim identifikimin e autorit, por ende pa rezultat.

Lajmifundit.al ka parë materialin e prokurorisë, në të cilin një pasazh shpjegon kohën kur dhe rrjedhën si ka ndodhur vrasja e protestuesit nga Lezha dhe kush nga gardistët ka qëlluar në atë kohë.

“21 janari”, prokuroria ka një të dyshuar për vrasjen

Ne intervalin kohor 16.00-16.10, ka qitur 11(njëmbëdhjetë) fisheke luftarake te kal.9mm (9X19 mm dhe keto, ne momentin kur brenda rrethimit të ndërtesës së kryeministrisë, nuk ka patur asnjë person nga radhët e protestuesve. i gjithe sektori i zjarrit te qitur nga pistoleta e tij ka qene i drejtuar ne vendin ku qëndronin paqesisht viktimat Faik Myrto e Aleks Nika, si dhe personi i plagosur Artes Dybeli duke shkaktuar ne kete menyre dhe pasojat tashme te njohura”, thuhet në dosjen e “21 janarit”.

Në vijim, shpjegohen edhe rrethanat e tjera të ngjarjes:

“21 janari”, prokuroria ka një të dyshuar për vrasjen

Në momentin që janë qëlluar me armë zjarri, viktimat kanë qënë jashtë objektit(jashtë kangjellave ose gardhit rrethues) të Kryeministrisë, ku viktima Ziver Veizi ka qenë në trotuar në shoqërinë e një personi tjetër, duke qëndruar me duar në xhepa dhe duke mos kryer asnjë veprim ose akt dhune. Viktima Hekuran Deda, së bashku me dëshmitarët Fatos Mahmutaj, Hysni Peposhi e persona të tjerë, kanë qenë larg gardhit rrethues të Kryeministrisë pranë një pishe, të hipur në dy tavolina të vendosura nga gazetarët dhe po shikonin zhvillimin e demonstratës. Viktima Faik Myrto ka qenë në bulevard, në afërsi të dy kullave Binjake, po aty afër ka qenë edhe viktima tjetër Aleks Nika, pra larg gardhit rrethues të Kryeministrisë, duke mos kryer asnjë veprim ose akt dhune. Edhe të plagosurit me armë zjarri, kanë qenë jashtë objektit e larg gardhit rrethues të Kryeministrisë. Të gjithë personat e plagosur janë qëlluar duke mos kryer asnjë veprim ose akt dhune”, thuhet në dosje. 

Plumbi i gjetur në kokën e Aleks Nikës, i nxjerrë në Turqi, mbërriti në Tiranë në mars 2011 dhe pasi ekspertimi i tij nuk ishte i mundur në Shqipëri për shkak të dëmtimeve. Objekt krahasimi me predhen, ishin 75 automatikë dhe 60 pistoleta 9 mm të Gardës, por në të gjitha rastet, përgjigja krahasuese, ishte negative. Për shkak të dëmtimit në vjaskat e saj, predha u dërgua në SHBA, për ri-ekspertim, ashtu si serveri i kamerave të kryeministrisë, pasi pala amerikane ofroi ndihmë dhe ekspetizë në hetimin e ngjarjes së rëndë.

Ekspertiza amerikane

Pas kryerjes se ekspertimeve balistike ne Institutin e Policise Shkencore Tirane, Prokuroia, i eshte drejtuar me ane te : « Leter-Porosi  per jashte shtetit », sipas percaktimeve procedurale te nenit 509 te Kodit te Proceures Penale, Laboratorit te Byrose Federale te Hetimit (FBI), ne Qunatico te Shteteve te Bashkuara  te Amerikes.  Prokuroria ka kerkuar qe ne Laboratorin e FBI-se te kryeheshin ekspertimet balistike te predhave, gezhojave si dhe armve.

Sipas « Raport Ekzaminimi » nr.163G-SP-215 date 05 Janar 2012, te Laboratorit te Byrose Federale te Hetimit (FBI), eshte konkluduar se : « … Predha me nr. Q4 (predha e gjetur ne trupin e viktimes Aleks Nika) dhe predha nr. Q2 (predha e gjetur ne trupin e viktimes Ziver Veizi), peshojne afersisht 123 grain (8 grame), dhe kane dale nga nje tyte me gjashte viaska te thelluara dhe te ngritura nga e djathta. Per shkak te  mungeses  se shenjave korresponduese mikroskopike me vlere, keto plumba (predha) nuk mund te identifikohen si te qitura nga e njejta tyte, nga tytat e pistoletave te derguara per ekzaminim, apo nga tytat qe kane qitur ndonjerin nga plumbat (predhat) e derguara per ekzaminim… » Ky « Raport Ekzaminimi » nr.163G-SP-215 date 05 Janar 2012, te Laboratorit te Byrose Federale te Hetimit (FBI), ka mberritur ne Prokurorine e Rrethit Gjyqesor Tirane me date 17.01.2012.

21 janari i radhës

Përvjetori i 21 janarit kaloi edhe këtë vit pa zhvillime të rëndësishme në lidhje me thelbin e cështjes: Identifikimin e plotë të autorëve dhe zbardhjen përfundimtare të cështjes. Ministri i Brendshëm Taulant Balla i parapriu ngjarjes me një deklaratë në analizën vjetore të policisë ku tha se vendimi i gjykatës së Strasburgut duhet të rihapë cështjen dhe shtoi se ekspertiza të reja po zhvillohen brenda e jashtë Shqipërisë për të zbardhur vrasjen pa autor të Aleks Nikës, të riut nga Lezha që u qëllua me një plumb në kokë, duke mbetur i plagosur rëndë.

Në gjendje kome, Nika u dërgua në Turqi pas ngjarjeve të 21 janarit për mjekim të specializuar por u kthye pa jetë atje. Në spitalet turke plumbi i gjetur në kokën e tij u hoq dhe mbërriti në Shqipëri në muajin mars të vitit 2011. Ekspertiza e kryer tregoi se predha ishte dëmtuar me shtypje dhe ishte e pa krahasueshme me armën që e kiste qitur.

Së fundi, mësohet se ekspertiza të tjera që përfshijnë predhën dhe disa armë të Gardës, janë duke u kryer jashtë Shqipërisë në Itali, me qëllim identifikimin e autorit nëpërmjet metodave të reja të ekspertimit që nuk njiheshin në vitin 2012.

Më 23 maj 2016, Gjykata e Lartë dënoi ish-komandantin e Gardës Ndrea Prendi me një vit burg për akuzën e vrasjes nga pakujdesia në dëm të shtetasit Faik Myrtaj dhe dënoi Agim Llupon me 3 vjet heqje lirie për vrasje nga pakujdesia në dëk të Ziver Veizit.

Gjyqi në gjykatën e Lartë për vrasjen e protestuesve Myrtaj dhe Veizi u shoqërua me përplasje të forta të qëndrimeve, pasi prokuroria pretendoi për vrasje me dashje, për shkak të të shtënave të rrezikshme.  

Gjykata e Lartë përmend faktin se Prendi u shpall së pari i pafajshëm për “vrasje me dashje” nga Shkalla e Parë për akuzën e vrasjes së demonstruesit Faik Myrtaj, sikurse edhe Agim Llupos për vrasjen e Ziver Veizit.

Dy zyrtarët e Gardës u dënuan peë “vrasje me dashje nga pakujdesia”, duke marrë Prendi 1 vit burgim dhe Llupo 3 vjet burgim.

Në nëntor 2023, gjykata e Strasburgut e cilësoi 21 janarin krim shtetëror. Në vendimin e marrë bazuar në ankimin e familjes së Aleks Nikës, Strasburgu vlerëson se:

Hetimi i kryer në këtë rast nuk mund të konsiderohet si efektiv e që çon në  identifikimin dhe ndëshkimin e atyre që janë përgjegjës për ngjarjet e supozuara dhe të vërtetimit të së vërtetës!‘.

Më tej në konkluzionet e Gjykatës së Strasburgut, thuhet se përdorimi i armës nga Garda që rezultoi në vdekjen e Aleks Nikës nuk ishte në përputhje me artiullin 2 të Konventës që ka të bëjë me mbrojtjen e jetës së njeriut.

'Gjykata ka gjetur mangësi në kuadrin ligjor që rregullon përdorimin e armëve potencialisht vdekjeprurëse në lidhje me operacionet e kontrollit të turmës në përgjithësi, defekte serioze në planifikimin dhe kontrollin e ngjarjes në shqyrtim dhe një dështim për të demonstruar se përdorimi i forcës vdekjeprurëse nga oficerët e Gardës Kombëtare, që rezultoi në vdekjen e anëtarit të familjes së aplikantit ishte absolutisht e panevojshme, duke pasur parasysh rrethanat. Qeveria ka pranuar se një përdorim i tillë i forcës ishte joproporcional!'- thekson gjykata e Strasburgut. Ajo nuk ka dhënë dëmshpërblim, pasi vetë familjarët e Aleks Nikës, nuk e kanë kërkuar.

Kush ishte Aleks Nika

36 vjecari nga Lezha, banues në fshatin Grykë Manat, të Kolshit në Lezhë, kishte ardhur me furgona për të protestuar në Tiranë së bashku me banorë të tjerë të zonës. Aleks Nika, që la pas dy vajzat dhe gruan, referuar edhe pamjeve filmike, është qëlluar me një plumb tek në kokë, teksa ndodhej me duar në xhepa në boulevard, përballë kryeministrisë, në krahun e gjykatës Kushtetuese.

Ai është rrëzuar përtokë teksa ishte i rrethuar nga një grup prej 10 apo 15 personash kryesisht të njohur e banorë të zonës, por edhe protestues të tjerë që u ndodhën rastësisht pranë tij në momentin e ngjarjes, si pasojë e lëvizjeve dhe zhvillimeve gjatë protestës.

Gjykata e lartë

Ditën  sotme, 27 shkurt 2024, gjykata e lartë vendosi:

1. Shqyrtimin e çështjes me nr. 70022-00558-00-2023 akti, me datë regjistrimi 13.09.2023, në seancë gjyqësore me praninë e palëve më datë 12 Mars 2024, ora 13:00.           

2. Urdhërohet sekretaria pranë Gjykatës së Lartë që të njoftojë palët pjesmarrëse në gjykim.

Sipas burimeve, Kolegji vlerësoi të nevojshëm dëgjimin e palëve për shkak se çështja paraqet rëndësi nga pikëpamja e së drejtës, për njësimin ose zhvillimin e praktikës gjyqësore./T.S/lajmifundit.al

Ky artikull eshte prodhim i mbrojtur nga Ligji "Per te drejtat e autorit ne Republiken e Shqiperise"

ME TE LEXUARAT