Aksioni në Ministrinë e Mbrojtjes/ Nufi në zyrë me ambasadorin amerikan, a e dinte SPAK-u për takimin “kokë më kokë"?

Politikë

Aksioni në Ministrinë e Mbrojtjes/ Nufi në zyrë me

SPAK-u zbarkoi mesditën e kësaj të premteje në Ministrinë e Mbrojtjes, në kuadër të hetimeve për çështjen KAYO. Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, nën drejtimin e prokurorëve të SPAK-ut, kryen kontrolle në ambientet e ministrisë, ku sipas raportimeve janë sekuestruar dokumente që lidhen me objektin e hetimit.

Por në të njëjtën kohë që agjentët e BKH-së ndodheshin në Ministrinë e Mbrojtjes, ministri Ermal Nufi ishte në zyrën e tij në një takim me ambasadorin e ri amerikan në Shqipëri, Eric Wendt.

Vetë ministri e bëri publik takimin përmes një postimi, ku vuri theksin te marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Pra në të njëjtën kohë kur në ambientet e ministrisë zhvillohej aksioni i SPAK-ut, në zyrën e ministrit zhvillohej një takim kokë më kokë me përfaqësuesin e ri diplomatik të SHBA-së në Tiranë.

Mbetet e paqartë nëse SPAK-u ishte në dijeni paraprakisht për takimin e ministrit Nufi me ambasadorin amerikan dhe nëse agjencia hetimore kishte informacion për praninë e tij në ministri në momentin kur u zhvilluan kontrollet.

Aksioni i kësaj të premteje është pjesë e hetimeve të nisura pas publikimit të audiopërgjimeve nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, në të cilat ngrihen pretendime për trafik ndërkombëtar armësh dhe për persona e kompani të lidhura me sektorin e industrisë së mbrojtjes.

Krahas Ministrisë së Mbrojtjes, kontrolle janë kryer edhe në ambiente të tjera private, mes tyre në banesën e biznesmenit Ron Yeffet. Hetimi i SPAK-ut vijon, ndërsa materialet dhe pajisjet e sekuestruara gjatë kontrolleve pritet t’i nënshtrohen ekspertimit.

ME TE LEXUARAT