Qeveria miraton kompensimin për dëmet në protesta, masa për agroturizmin — ndryshime edhe në numrin e emergjencave 112

Këshilli i Ministrave ka miratuar këtë të premte, më 27 nëntor 2026, një sërë aktesh normative dhe vendimesh që prekin disa fusha, nga kompensimi i dëmeve të pronës gjatë tubimeve të dhunshme, te rregullat për agroturizmin, strukturat akomoduese e siguria publike.
Në mbledhje u miratua gjithashtu ngritja e sistemit të numrit të unifikuar të emergjencave 112 dhe një marrëveshje bashkëpunimi me NATO-n në mbështetje të Ukrainës. Një nga vendimet kryesore të mbledhjes së sotme të qeverisë është miratimi i aktit normativ për kompensimin dhe rikuperimin e dëmeve të shkaktuara ndaj pronës nga aktet e dhunës gjatë tubimeve.
Sipas njoftimit të Agjencisë për Media dhe Informim, akti synon të garantojë kompensimin efektiv të dëmeve materiale, ndërsa barra financiare përfundimtare të përballohet nga personat përgjegjës për shkaktimin e tyre. Përmes këtij mekanizmi, shteti do të mundësojë kompensimin e dëmeve dhe më pas rikuperimin e shumave të paguara nga personat përgjegjës.
Në mbledhjen e 27 nëntorit, Këshilli i Ministrave miratoi edhe ndryshime dhe shtesa në vendimin nr. 730, datë 20 tetor 2016, që rregullon kushtet, kriteret, tarifat, afatet dhe procedurat për klasifikimin e strukturave akomoduese.
Një tjetër vendim lidhet me certifikimin e veprimtarisë së agroturizmit. Qeveria miratoi kriteret, dokumentacionin dhe procedurat për pajisjen me certifikatë, si dhe rregullat për ndërtimin e strukturave dhe objekteve në funksion të kësaj veprimtarie. Vendimi parashikon gjithashtu miratimin e modelit të certifikatës për ushtrimin e aktivitetit të agroturizmit.
Qeveria miratoi edhe vendimin për përcaktimin e llojeve të armëve dhe mjeteve të tjera të përdorimit të forcës që lejohen të mbahen nga Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale.
Vendimi përcakton kuadrin e mjeteve që mund të përdoren nga kjo agjenci në ushtrimin e funksioneve të saj.
Në planin e integrimit evropian, Këshilli i Ministrave miratoi në parim marrëveshjen ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e vendit në programin e BE-së kundër mashtrimit.
Ky program synon bashkëpunimin në mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Evropian dhe forcimin e mekanizmave kundër mashtrimit. Një tjetër vendim i rëndësishëm është miratimi i ngritjes dhe funksionimit të sistemit të numrit të unifikuar të thirrjeve emergjente 112.
Ky sistem synon organizimin dhe koordinimin e përgjigjes ndaj situatave emergjente përmes një numri të vetëm telefonik, duke lehtësuar komunikimin e qytetarëve me shërbimet përkatëse.
Në mbledhjen e sotme u miratua edhe propozimi për projektligjin që parashikon ratifikimin e marrëveshjes së përgjithshme kuadër ndërmjet Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Mbrojtjes, dhe Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO).
Marrëveshja lidhet me listën e kërkesave prioritare të Ukrainës (PURL), një mekanizëm që synon koordinimin e mbështetjes për nevojat prioritare të vendit në kushtet e luftës. Projektligji do të ndjekë procedurat parlamentare për ratifikimin e marrëveshjes.


