Aksident tragjik në Fushë-Krujë, humb jetën 23-vjeçari

Aktualitet

Aksident tragjik në Fushë-Krujë, humb jetën

Një aksident tragjik është shënuar në aksin rrugor Fushë-Krujë–Tiranë, në afërsi të fshatit Larushk, ku një 23-vjeçar me shtetësi egjiptiane ka humbur jetën.

Sipas të dhënave paraprake, një automjet tip “Audi”, me drejtues një 18-vjeçar me inicialet M.S., dyshohet se është futur në një parakalim të gabuar.

Për të shmangur përplasjen, drejtuesi i një automjeti Volkswagen ka devijuar, duke përfunduar i përplasur me barrierat anësore të rrugës. Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën në vend pasagjeri i automjetit, shtetasi egjiptian me inicialet E.A., 23 vjeç, i cili, sipas informacionit paraprak, punonte si mekanik në kompaninë e 18-vjeçarit.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e emergjencës dhe grupi hetimor. Gjatë rrugës për në Tiranë, në afërsi të kryeqytetit, autoambulanca që transportonte të plagosurin është përplasur me një mjet tjetër.

Fatmirësisht, mjekët dhe i plagosuri nuk kanë pësuar dëmtime. I plagosuri është marrë nga një autoambulancë e Kamzës dhe është transportuar drejt Spitalit të Traumës, ndërsa stafi mjekësor i autoambulancës nuk ka pësuar dëmtime.

Krujë/Informacion paraprak

Më datë 01.10.2026, rreth orës 16:50, në aksin rrugor Tapizë–Fushë-Krujë, në vendin e quajtur “Arrameras”, është përplasur automjeti me drejtues shtetasin K. C, rreth 44 vjeç, me automjetin me drejtues shtetasin M. S, rreth 18 vjeç.

Si pasojë e aksidentit, është dëmtuar drejtuesi i automjetit, shtetasi M. S, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën, ndërsa pasagjeri në automjetin e tij shtetasi egjiptian E. A, rreth 22 vjeç, ka ndërruar jetë.

 Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave dhe shkakut të aksidentit.

 

ME TE LEXUARAT