Përplasen 69 automjete, mjegulla shkakton aksidentin e frikshëm, ka të plagosur

Një aksident masiv, ku u përfshinë 69 automjete, ka ndodhur të enjten në mëngjes në autostradën I-95 në Karolinën e Jugut, SHBA. Përplasja e shumëfishtë shkaktoi mbylljen e të dyja korsive të trafikut dhe la disa persona të plagosur. Sipas autoriteteve lokale, në aksident u përfshinë 15 kamionë dhe 54 automjete të tjera. Të paktën dy persona raportohet se kanë marrë plagë të rënda, ndërsa një prej të plagosurve u transportua me helikopter drejt spitalit.
Aksidenti ndodhi në një urë mbi Liqenin Marion, e cila lidh qarqet Clarendon dhe Orangeburg. Në momentin e përplasjes, zona ishte përfshirë nga mjegull e dendur, e cila reduktoi ndjeshëm shikueshmërinë dhe shkaktoi një zinxhir përplasjesh mes automjeteve.
Ekipet e emergjencës u angazhuan menjëherë në vendngjarje, ndërsa zjarrfikësve iu desh të ndërhynin për të nxjerrë katër persona të bllokuar brenda automjeteve. Sipas autoriteteve, pavarësisht përmasave të aksidentit, nuk pati viktima.
Një dëshmitar, Noah Mandel, i cili po udhëtonte me familjen e tij nga Virxhinia drejt Floridës, tregoi momentet e frikshme pas përplasjes. Ai tha se pa një automjet pas tij që fillimisht nisi të nxirrte tym dhe më pas u përfshi nga flakët, ndërsa përpara tij kishte persona të bllokuar në makinat e tyre.
Prania e Liqenit Marion menjëherë poshtë urës e bëri situatën edhe më të rrezikshme. Mandel tha se ishte fat që asnjë prej automjeteve nuk përfundoi në ujë. Forcat e emergjencës qëndruan për orë të tëra në vendngjarje për të menaxhuar pasojat e aksidentit dhe për të larguar automjetet e dëmtuara. Sipas mediave lokale, trafiku tashmë është rikthyer në normalitet.


