Patozi: Do iki nga PD pas Lulzim Bashës, legjenda e koalicionit me PS pas zgjedhjeve po na dëmton

Politikë

Astrit Patozi, me mandatin e deputetit demokrat deri në shtator shprehet i shqetësuar për situatën në të cilën ndodhet Partia Demokratike një javë para zgjedhjeve dhe bën përgjegjës kryetarin e PD-së, Lulzim Basha.

“E shikoj me keqardhje që për herë të parë në historinë e PD-së forca jonë politike nuk merret seriozisht nga kundërshtari. Nuk ka ndodhur kurrë më parë. Është një fushatë që përçmon PD-në, pra kundërshtarët përçmojnë PD-në, duke nisur që nga flamuri, simbolet kryetari. Dhe ndjej keqardhje", tha Patozi.

Deputeti demokrat i cilësoi legjendë zërat për një koalicion të mundshëm mes Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste. Kjo legjendë tha ai do të jetë shumë e dëmshme për Partinë Demokratike nëse Basha nuk mban një qëndrim të qartë nëse do të jetë ose jo në koalicion me kryeministrin Edi Rama.

“Problemi kryesor në këtë fushatë për PD-në për të cilën jam i shqetësuar është fakti se qarkullon një legjendë e cila nuk po fashitet, sipas së cilës pas zgjedhjeve do të ketë një koalicion të madh mes PS- PD.

Në rast se kjo javë e fundit që ka ngelur nuk do ta ndajë përfundimisht Partinë Demokratike nga kjo legjendë sigurisht që pasojat do të jenë mjaft të rënda dhe do të jetë përgjegjësia vetëm e Z. Basha.

Sepse nëse demokratët konstatojnë se ka një marrëveshje mes udhëheqësit të tyre dhe të PS-së atëherë ata nuk kanë fare problem të bëjnë marrëveshje lokale, pra që të kalojnë edhe tek PS-së sepse qenka e njëjta gjë.”, theksoi Patozi.

Ai u ndal te marrëdhënia me Partinë Demokratike, Patozi u shpreh se ajo nuk varet nga humori i Lulzim Bashës.

“Lulzim Basha më ka gjetur në Partinë Demokratike dhe do të më lërë po aty kur ai të largohet.”, theksoi me tej Astrit Patozi i cili eshte deputet në Parlamentin e Shqipërisë për 3 legjislatura, ndërsa në zgjedhjet e këtij viti nuk u përfshi në listat e kanidtatëve për deputetë nga kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.

ME TE LEXUARAT