Zjarri masiv përfshin një hotel në Itali, evakuohen 40 pushues, 16 prej tyre përfundojnë në spital

Bota

Zjarri masiv përfshin një hotel në Itali, evakuohen 40 pushues,

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë gjatë natës një hotel në qendrën e zonës turistike malore të Ponte di Legno, në provincën e Brescias, Itali. Flakët përfshinë një pjesë të konsiderueshme të ndërtesës, duke detyruar autoritetet të evakuonin të gjithë personat që ndodheshin brenda saj.

Në operacionin për shuarjen e zjarrit u angazhuan më shumë se 50 efektivë zjarrfikës, të ardhur edhe nga rajoni fqinj i Trentos, për shkak të përmasave të vatrës së zjarrit. Fatmirësisht, të 40 pushuesit që ndodheshin në hotel arritën të shpëtonin. Megjithatë, të paktën 16 prej tyre patën nevojë për ndihmë mjekësore, pasi kishin pësuar intoksikim të lehtë nga tymi.

Alarmi për zjarrin u dha rreth orës 21:00. Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, dyshohet se flakët kanë nisur nga oxhaku i hotelit. Brenda pak minutash, zjarri u përhap në një pjesë të madhe të çatisë prej druri dhe më pas përfshiu edhe katin e fundit të ndërtesës.

Operacioni për shuarjen e flakëve zgjati gjatë gjithë natës. Ekipet e zjarrfikësve qëndruan në terren deri në orët e para të mëngjesit, kur arritën të vinin plotësisht nën kontroll situatën. Pavarësisht ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse, dëmet materiale në strukturën e hotelit janë të konsiderueshme. Çatia prej druri është dëmtuar rëndë, ndërsa kati i tretë, i ndërtuar në formë mansarde, ka pësuar dëmtime si pasojë e rënies së materialeve dhe ndërhyrjes për shuarjen e zjarrit.

Ndërtesa ka arritur të ruajë strukturën e saj kryesore dhe nuk është shembur, por autoritetet e kanë shpallur të papërshtatshme për banim dhe përdorim. Ndërkohë, kanë nisur verifikimet për të përcaktuar shkaqet e sakta të zjarrit, ndërsa dyshimet paraprake përqendrohen te oxhaku i hotelit. Ngjarja nuk ka shkaktuar viktima, ndërsa evakuimi në kohë i të gjithë pushuesve ka shmangur pasoja më të rënda.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion