Zbardhen detajet e ekzekutimit që tronditi SHBA-në, si i mbijetoi 50-vjeçarja Christa Pike dy dozave vdekjeprurëse

Christa Pike, e dënuara me vdekje në shtetin amerikan të Tennessee, ndodhet pa ndjenja, e intubuar dhe në respirator pasi i mbijetoi një ekzekutimi me injeksion vdekjeprurës që duhej t'i merrte jetën brenda pak minutash. Asaj iu dhanë dy doza të pentobarbitalit, një qetësues shumë i fuqishëm që përdoret në doza të larta në SHBA për ekzekutimet me injeksion vdekjeprurës, por zemra nuk i pushoi së rrahuri.
Dokumentet e paraqitura në gjykatë nga avokatët e saj japin një tablo të detajuar të asaj që ndodhi gjatë procedurës dhe arsyet pse ajo mund t'i ketë mbijetuar.
Nuk ia gjenin dot venat
Sipas mbrojtjes, problemet nisën përpara se të administrohej ilaçi. Ekipi i ekzekutimit provoi të paktën shtatë herë të vendoste linjat intravenoze, të nevojshme që pentobarbitali të hynte direkt në qarkullimin e gjakut.
Në një moment, sipas avokatëve, vetë Pike u tregoi punonjësve se ku mund të provonin të gjenin një venë. Një prej gjilpërave u hoq e përkulur në kënd 90 gradë, çka sipas tyre tregon se procedura ishte bërë me shumë vështirësi.
Mbrojtja kishte paralajmëruar prej muajsh se kjo mund të ndodhte. Pike vuan nga trombocitoza, një sëmundje që shkakton prodhim të tepërt të trombociteve dhe rrit rrezikun e mpiksjes së gjakut. Përveç kësaj, ajo ka edhe vena shumë të vogla, duke e bërë shumë të vështirë vendosjen e linjave intravenoze.
Pavarësisht dy dozave, zemra nuk ndaloi së rrahuri
Pasi u vendosën linjat, Pike mori dy doza të pentobarbitalit. Ky ilaç përdoret si qetësues në mjekësi, por në doza shumë të larta ngadalëson funksionet e trurit, frymëmarrjen dhe zemrën deri në vdekje.
Sipas avokatëve, gjatë gjithë kohës Pike dëgjohej duke qarë, duke rënkuar dhe gulçuar. Pavarësisht dy dozave vdekjeprurëse, ajo mbeti gjallë.
Në vend që të shpallej e vdekur, ajo u nxor nga dhoma e ekzekutimit dhe u transportua me ambulancë drejt një spitali, ku mjekët po përpiqen t'i shpëtojnë jetën dhe të largojnë ilaçin nga organizmi.
Pse nuk funksionoi injeksioni?
Sipas dokumenteve të paraqitura në gjykatë, ekipi i ekzekutimit nuk e kuptoi në asnjë moment se gjilpëra nuk ishte vendosur siç duhet.
Avokatët pretendojnë se venat ishin dëmtuar gjatë përpjekjeve për të futur gjilpërën dhe se pentobarbitali nuk hyri në qarkullimin e gjakut, por u përhap në indet nën lëkurë.
Ky është edhe shpjegimi që jep anesteziologu Joel Zivot, i cili këshillon ekipin mbrojtës. Ai tha se nëse ilaçi do të kishte hyrë normalisht në gjak, dy dozat e administruara do të kishin qenë të mjaftueshme për të shkaktuar vdekjen e 50 vjeçares.
Sipas tij, flluskat dhe dëmtimet e vërejtura në krahun e Pike tregojnë se vena mund të jetë çarë gjatë procedurës. Në vend që ilaçi të qarkullonte në organizëm, ai ka shumë gjasa të jetë përhapur në indet poshtë lëkurës, ku nuk mund të prodhonte efektin e pritshëm.
Eksperti shton se edhe trombocitoza mund të ketë luajtur rol. Mpiksjet e krijuara në vendin e injektimit mund të kenë bllokuar hyrjen e ilaçit në vena.
Një tjetër mundësi e përmendur nga mbrojtja është që pentobarbitali të ketë humbur fuqinë për shkak të mënyrës së prodhimit ose ruajtjes, megjithëse nuk ka prova që kjo të ketë ndodhur dhe autoritetet nuk e kanë konfirmuar një gjë të tillë.
Çfarë po ndodh tani?
Pike ndodhet në gjendje kritike në spital, pa ndjenja, e intubuar dhe e lidhur me respirator. Sipas mjekut Joel Zivot, ekziston mundësia që ajo të ketë pësuar dëmtim të trurit për shkak të kohës që kaloi pa marrë trajtimin e nevojshëm pas procedurës.
Avokatët kanë kërkuar nga gjykata të ruhen të gjitha provat fizike, dokumentet dhe materialet elektronike që lidhen me ekzekutimin. Ata kërkojnë gjithashtu që dënimi me vdekje të zëvendësohet me burgim, duke argumentuar se përpjekja për ekzekutim dështoi.
Ndërkohë, guvernatori i Tennessee, Bill Lee, ka urdhëruar një hetim të pavarur dhe ka pezulluar të gjitha ekzekutimet në shtet deri në fund të vitit.
Kush është Christa Pike dhe për çfarë u dënua me vdekje?
Pike u dënua me vdekje në vitin 1996 për vrasjen e 19-vjeçares Colleen Slemmer një vit më parë. Në krim mori pjesë edhe i dashuri i saj i atëhershëm, Tadaryl Shipp.
Sipas BBC-së, vrasja ndodhi në një qendër për të rinj me probleme. Pike e kishte akuzuar Slemmer se e kishte fyer dhe se po përpiqej t’i merrte të dashurin. Slemmer u torturua dhe u vra brutalisht.
Dy të rinj të tjerë në qendër dëshmuan më pas se Pike ishte mburrur për vrasjen dhe u kishte treguar një copë të kafkës së viktimës.
Shipp u dënua me burgim të përjetshëm, me mundësi lirimi me kusht. Ai nuk mori dënimin me vdekje sepse në kohën e sulmit ishte ende i mitur. Vazhdon të jetë në burg.


