Yll Limani reagon ashpër ndaj dhunës në protestat e studentëve në Tiranë

Showbiz

Yll Limani reagon ashpër ndaj dhunës në protestat e

Këngëtari i njohur Yll Limani ka reaguar publikisht ndaj situatës së tensionuar në Tiranë, duke dënuar dhunën e raportuar ndaj studentëve protestues dhe duke kërkuar që institucionet t’i dëgjojnë kërkesat e tyre.

Përmes disa postimeve në Instagram, artisti ka shprehur shqetësimin për pamjet që po qarkullojnë nga protestat, duke kritikuar veprimet e forcave të rendit ndaj të rinjve.

“Është tmerr me i pa pamjet prej Tiranës. Të rinj që sulmohen prej atyre që duhet me i mbrojt”, ka shkruar Limani.

ylli-1.jpeg

Këngëtari ka shprehur gjithashtu mbështetjen e tij për studentët, duke deklaruar: “Unë jom me studentët. Shkurt edhe shqip”.

Në reagimin e tij, Limani ka theksuar se protestat duhet të shihen si një sinjal i pakënaqësive që kërkojnë vëmendje dhe përgjigje konkrete nga institucionet.

Sipas artistit, është e rëndësishme të kuptohen arsyet që i kanë shtyrë të rinjtë të dalin në rrugë, shqetësimet me të cilat përballen dhe ndryshimet që kërkojnë.

ylli-2.jpeg

“Na duhet me i ngu studentët, se qartazi ka pakënaqësi. Me kuptu pse kanë dal, çka po i mundon e çka po kërkojnë”, është shprehur ai.

Limani ka nënvizuar se të rinjtë nuk duhet të konsiderohen vetëm si e ardhmja e vendit, por si qytetarë, zëri i të cilëve meriton të dëgjohet dhe të ketë peshë që sot.

“Nuk mjafton me ju thanë ‘ju jeni e ardhmja’, nëse kur flasin, s’ka kush i dëgjon. Duhet me i marrë seriozisht e me ju dhanë arsye me besu që munden me e ndërtu jetën në vendin e vet”, ka shkruar këngëtari.

Në përfundim të reagimit, artisti u është drejtuar edhe pjesëtarëve të Policisë, duke kujtuar përgjegjësinë që mbart uniforma dhe rëndësinë e garantimit të sigurisë së qytetarëve.

“Uniforma osht përgjegjësi. Qytetari duhet me u ni ma i sigurt kur e sheh policinë”, ka theksuar ai.

ylli-3.jpeg

Limani ka shtuar se çdo pjesëtar i forcave të rendit duhet të jetë i vetëdijshëm se përballë ka të rinj me ëndrra, shqetësime dhe familje që presin kthimin e tyre në shtëpi.

Reagimi i këngëtarit vjen në një kohë kur protestat studentore në Tiranë dhe përplasjet e raportuara gjatë tyre kanë nxitur diskutime mbi mënyrën e trajtimit të protestuesve dhe përgjegjësinë e institucioneve për të garantuar ushtrimin paqësor të së drejtës së protestës.

Përmes mesazheve të tij, Yll Limani ka kërkuar që shqetësimet e studentëve të trajtohen me seriozitet, duke vënë theksin te dialogu, respektimi i të drejtave dhe shmangia e dhunës.

 

ME TE LEXUARAT