Analisti Gabriel Partos: Protestat në Shqipëri, sfida më e madhe për Ramën në 13 vite pushtet

Aktualitet

Analisti Gabriel Partos: Protestat në Shqipëri, sfida më e madhe

Analisti britanik Gabriel Partos vlerëson se korrupsioni, kostoja e lartë e jetesës dhe mungesa e perspektivës për të rinjtë janë ndër shkaqet kryesore të protestave. Sipas tij, pakënaqësia është drejtuar ndaj të gjithë klasës politike, ndërsa përshkallëzimi i tensioneve mund të ndikojë edhe në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Protestat që prej pesë ditësh vijojnë në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit përbëjnë sfidën më të madhe për kryeministrin Edi Rama gjatë 13 viteve në pushtet. Kështu shprehet Gabriel Partos, ish-analist i BBC-së për Evropën Qendrore dhe Juglindore dhe analist i mëvonshëm në The Economist Intelligence Unit, në një intervistë për Top Channe.

Sipas Partos, përmasat e protestave dhe përshkallëzimi i dhunës i japin kësaj vale pakënaqësie një rëndësi të veçantë në zhvillimet politike të vendit. Ai i sheh demonstratat e fundit si vazhdimësi të protestave të njohura si “Revolucioni Flamingo”, që kanë vijuar prej disa muajsh.

Korrupsioni dhe mungesa e perspektivës, në qendër të pakënaqësisë

Duke analizuar shkaqet e protestave, Partos thekson se, pavarësisht zhvillimeve pozitive në standardet e jetesës dhe përparimit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, një pjesë e shoqërisë shqiptare vijon të përballet me probleme të thella.

Ai veçon korrupsionin, kostot e larta të jetesës dhe të arsimimit, si dhe mungesën e mundësive për të rinjtë pas përfundimit të studimeve.

Sipas analistit, pamundësia për të ndërtuar një të ardhme profesionale në Shqipëri po nxit largimin e të rinjve drejt vendeve të tjera evropiane dhe më gjerë, duke thelluar fenomenin e rrjedhjes së trurit.

Partos e konsideron korrupsionin një problem kronik të shoqërisë shqiptare, pavarësisht përpjekjeve të sistemit të drejtësisë për ta luftuar atë.

“Rama është kthyer në viktimë të suksesit të tij personal”

Duke komentuar qëndrimin e kryeministrit për të mos u larguar nga detyra, Partos vlerëson se fitorja e mandatit të katërt e ka vendosur Ramën përballë një përgjegjësie edhe më të madhe për pakënaqësitë e akumuluara në shoqëri.

Sipas tij, qëndrimi i gjatë në pushtet i ekspozon drejtuesit politikë ndaj një numri gjithnjë e më të madh kritikash, veçanërisht kur bashkëpunëtorë të nivelit të lartë përballen me akuza serioze për korrupsion.

Analisti thekson se një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve e bëjnë kryeministrin përgjegjës për problemet me të cilat përballen, ndërsa ai duhet të dëgjojë më seriozisht shqetësimet e tyre dhe të mos i nënvlerësojë kërkesat e protestuesve.

Protestë kundër gjithë klasës politike

Partos vëren se pakënaqësia e protestuesve nuk drejtohet vetëm ndaj qeverisë, por edhe ndaj Partisë Demokratike dhe klasës politike në tërësi.

Sipas tij, një pjesë e protestuesve kanë shprehur distancim nga opozita, duke e paraqitur lëvizjen si reagim ndaj një sistemi politik që ka qeverisur vendin që prej përfundimit të regjimit njëpartiak.

Ai vlerëson se opozita nuk ka arritur të paraqesë një alternativë të re bindëse dhe as të krijojë një front të përbashkët me qytetarët që kundërshtojnë qeverinë. Mungesa e një drejtimi të qartë politik, sipas tij, e lë protestën pa një lidership të konsoliduar.

Partos: Nuk mund t'u atribuohen faktorëve të huaj shkaqet e protestave

I pyetur për pretendimet e kryeministrit Edi Rama mbi përfshirjen e aktorëve të huaj në trazira, analisti britanik shprehet se nuk beson se shkaqet e protestave duhet t'u atribuohen forcave të jashtme.

Partos përmend Rusinë si një aktor që mund të ketë interes të dobësojë Bashkimin Evropian dhe Aleancën Euroatlantike, duke përfshirë përpjekjet për të penguar zgjerimin e tyre. Ai përmend gjithashtu mundësinë e ndërhyrjeve nga aktorë të tjerë, por thekson se faktorët e jashtëm nuk mund të fajësohen për pakënaqësinë e brendshme që ka nxitur protestat.

Rreziku për integrimin evropian

Një tjetër shqetësim i ngritur nga Partos lidhet me ndikimin që përshkallëzimi i protestave mund të ketë në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

Sipas tij, vendi duhet të vijojë reformat, veçanërisht në forcimin e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit. Ai paralajmëron se tensionet politike dhe dhuna mund të pengojnë ose të vonojnë procesin e integrimit, duke cenuar interesat e qytetarëve shqiptarë.

Në përfundim, Partos vlerëson se polarizimi politik dhe rritja e pakënaqësisë shoqërore mund të krijojnë vështirësi jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Sipas tij, përgjigjja ndaj kësaj situate kërkon që qeveria të dëgjojë më seriozisht shqetësimet e qytetarëve, të vijojë reformat dhe të adresojë shkaqet që po ushqejnë pakënaqësinë.

ME TE LEXUARAT