Sulm me thikë në azil në Gjermani, i moshuari vret 86-vjeçaren dhe plagos dy gra

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në një azil për të moshuarit në Olfen, pranë Dortmundit në Gjermani. Një 72-vjeçar, banor i të njëjtit institucion, dyshohet se ka sulmuar me thikë tri gra, duke i marrë jetën njërës prej tyre dhe duke plagosur rëndë dy të tjerat.
Sipas raportimeve të mediave gjermane WDR dhe Bild, sulmi ndodhi të premten në mensën e azilit.
Viktima është një grua 86-vjeçare, e cila nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra. Dy gratë e tjera, të moshave 83 dhe 81 vjeçe, mbetën të plagosura rëndë.
Ato u transportuan me urgjencë në spital, ku po marrin trajtim mjekësor. Policia mbërriti në vendngjarje dhe arrestoi 72-vjeçarin, që sipas raportimeve nuk bëri rezistencë gjatë ndalimit.
Deri më tani, motivet që çuan në sulmin e përgjakshëm mbeten të paqarta. Autoritetet gjermane kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar se çfarë e shtyu të dyshuarin të sulmonte tri gratë.


