Vendimi i Gjykatës së Fierit, lirohet Sokol Hoxha, i dënuar për vra'sjen e tre personave

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka vendosur lirimin e 51-vjeçarit Sokol Hoxha. Ky i fundit u ekstradua nga SHBA-të dhe mbërriti këtë të hënë në Gjykatën e Fierit, ku kërkoi shpalljen e parashkrimit të dënimit penal.
Në njoftimin për media thuhet gjykata thotë se vendosi: “Pranimin e kërkesës pasi nga tërësia e akteve dhe provave të administruara rezulton se ka kaluar afati 20 vjeçar i parashkrimit pa u bërë e mundur ekzekutimi i dënimit penal ndaj kërkuesit, të dënuarit S.H”.
“Konstatimin e shuarjes së dënimit prej 25 (njëzet e pesë) vjet burgim, të dhënë ndaj kërkuesit S.H, me vendimin nr. 188, datë 19.05.2000 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, lënë në fuqi me vendimin nr. 192, datë 21.11.2000 të Gjykatës së Apelit Vlorë, për shkak të parashkrimit të ekzekutimit të dënimit”, vijon njoftimi.
Hoxha, nga Patosi, është dënuar me 25 vite burg për vrasjen e dy vëllezërve Banaj në vitin 1997, ndërsa nga drejtësia belge është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Brunilda Dervishit. Më 6 gusht, ai u ekstradua në Shqipëri dhe u dërgua në burgun e Fierit për të vuajtur dënimin prej 25 vitesh burg, të dhënë në mungesë nga Gjykata e Fierit në vitin 2000.


