U vr'a pasi denoncoi dhu'nën, Kuvendi i Kosovës në seancë të jashtëzakonshme për Arlinda Sylaj Zekajn

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot në orën 15:00, në një seancë të jashtëzakonshme, pas vrasjes së 49-vjeçares Arlinda Sylaj Zekaj.
Në thelb të diskutimeve të Kuvendit do të jetë përgjegjësia e institucioneve, të cilat dështuan ta mbronin pavarësisht se ajo kishte denoncuar dhunën dhe kërcënimet e vazhdueshme nga ish-bashkëshorti dhe familja e tij. Thirrja e seancës së jashtëzakonshme u bë e ditur sot në komisionin për legjislacion.
Arlinda Zekaj u vra të shtunën në mbrëmje në Vitomiricë të Pejës. I dyshuari për vrasjen është kunati i saj, i cili, ndodhet ende në arrati. Sipas të dhënave fillestare, ngjarja ka ndodhur brenda shtëpisë, ndërsa dyshohet se viktima është vrarë me sëpatë.
Rasti ka marrë vëmendje të veçantë pasi është bërë e ditur se vetëm tre ditë para vrasjes, më 22 tetor, Zekaj u ishte drejtuar institucioneve për të paralajmëruar për rrezikun me të cilin po përballej.
Në të njëjtën datë, ajo kishte dorëzuar një parashtresë drejtuar kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, përmes së cilës kishte kërkuar masa urgjente ndaj zyrtarëve të institucioneve përgjegjëse, duke pretenduar se ata nuk i kishin përmbushur detyrat e tyre zyrtare. Dokumenti, i cili mban vulën e pranimit të datës 22 tetor, dëshmon se Zekaj kishte shprehur shqetësimin për sigurinë e saj dhe kishte paralajmëruar se institucionet mund të reagonin vetëm pasi të ndodhte një tragjedi.


