Richard Grenell: Presidenti Trump e shpëtoi Qendrën Kennedy

Ish-ambasadori amerikan dhe aktualisht drejtues i përkohshëm i Qendrës Kennedy, Richard Grenell, ka deklaruar se presidenti Donald Trump “absolutisht e shpëtoi” institucionin e njohur kulturor nga shembja.
Në një reagim në rrjetet sociale, Grenell ka përshkruar gjendjen e rënduar të godinës përpara marrjes së detyrës së tij, duke thënë se Qendra, e ndërtuar si memorial i gjallë për Presidentin John F. Kennedy, kishte pësuar një neglizhencë të gjatë dhe serioze në mirëmbajtje.
Sipas tij, ekspertët që shqyrtuan gjendjen e ndërtesës ishin të ndarë mes dy opsioneve: shembja dhe rindërtimi nga e para, ose një investim i menjëhershëm dhe masiv për restaurim. Grenell shtoi se, në vend të fokusimit tek ndërtimi i hapësirës së re “The Reach”, prioriteti duhet të kishte qenë shpëtimi i godinës ekzistuese.
Ai kujtoi se gjatë një vizite të presidentit Trump në Qendrën Kennedy, ku i tregoi si brenda ashtu edhe jashtë ndërtesës, Trump u shokua nga gjendja e saj dhe menjëherë mori masa. Grenell tha se, teksa largohej me autokolonë nga objekti, Trump kontaktoi anëtarë të Kongresit për të siguruar mbështetjen e nevojshme.
“Donald J. Trump absolutisht e shpëtoi Qendrën Kennedy nga shkatërrimi,” theksoi ai. Sipas Grenell presidenti fitoi mbështetjen e Kongresit për të akorduar 257 milionë dollarë për qendrën.
Deklaratat e Grenell vijnë në një kohë kur administrata e re e Qendrës Kennedy ka nisur një fazë të re reformash dhe rikonstruksioni, ndërsa ka pasur edhe polemika mbi gjendjen financiare dhe menaxhimin e institucionit gjatë viteve të fundit. Ish-presidentja e Qendrës, Deborah Rutter, ka kundërshtuar pretendimet për keqmenaxhim dhe ka mbrojtur bilancet financiare, duke i quajtur akuzat “përpjekje të qëllimshme për të shtrembëruar faktet.”
Qendra Kennedy, e inauguruar më 1971, mbetet një prej institucioneve kryesore të arteve skenike në SHBA, duke u konsideruar një simbol kombëtar i kulturës dhe memorial për Presidentin Kennedy.