Tragjedia në Pejë, gruaja kërkoi drejtësi para se të vri'tej: Uroj të mos detyroheni të jepni llogari pasi të më jetë marrë jeta

Një grua ka mbetur e vrarë mbrëmjen e djeshme në Kosovë, në Vitomiricë, vetëm dy orë pasi kishte raportuar në polici dhunën në familje. Viktima rreth tre ditë para vrasjes përmes një letre i është drejtuar kryeprokurores së Prokurorisë së Pejës, përmes së cilës ka shprehur pakënaqësinë me zyrtarët të cilët po trajnonin rastin e saj
“Uroj që të mos detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”, kishte shkruar viktima.
Përmes kësaj letre, viktima kishte kërkuar hetime për të gjithë zyrtarët duke nisur edhe nga Qendra për Punë Sociale.
“Kjo është shpresa ime e fundit”, kishte shkruar ajo.
Lidhur me këtë çështje, Prokuroria Themelore në Pejë thotë se ka angazhuar prokuror për trajtimin e pretendimeve të viktimës, menjëherë pas pranimit të shkresës.
“Pas pranimit dhe shqyrtimit të parashtresës, Kryeprokurorja, në kuadër të kompetencave ligjore, ka urdhëruar regjistrimin e saj për trajtim nga prokurori kompetent, me qëllim të vlerësimit të pretendimeve në aspektin e përgjegjësisë penale, në drejtim të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar””, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Bëhet e ditur se “parashtresa u është përcjellë për trajtim urgjent autoriteteve përkatëse institucionale, përfshirë Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë, Gjykatën Themelore në Pejë, Drejtorinë për Mirëqenie Sociale dhe Qendrën për Punë Sociale, me kërkesën për shqyrtimin e pretendimeve dhe verifikimin e lëshimeve eventuale apo veprimeve të zyrtarëve përkatës, brenda përgjegjësive të tyre institucionale”


