Shqiptarja që i tha “jo” ofertës së Zuckerberg/ Murati ruan ekipin, refuzon 1 miliard dhe ndërton të ardhmen e AI

Teknologji

Shqiptarja që i tha “jo” ofertës së Zuckerberg/

Një nga figurat më të rëndësishme në fushën e inteligjencës artificiale, Mira Murati, ka refuzuar një ofertë marramendëse nga Meta për blerjen e startup-it të saj “Thinking Machines Lab”. Mediat amerikane raportojnë se Mark Zuckerberg ishte i gatshëm të transferonte 1 miliard dollarë për të siguruar kompaninë, por Murati nuk pranoi.

Pas gjashtë viteve në OpenAI, ku arriti të bëhej Shefe e Teknologjisë dhe një nga figurat kyçe në zhvillimin e ChatGPT, Murati është e vendosur të çojë përpara projektin e saj të ri. “Thinking Machines” ka ngjallur interes të madh në industrinë globale të teknologjisë, por edhe konkurencë të ashpër.

Ofensiva e Metës dhe dështimi

Pas refuzimit të Muratit, Zuckerberg nuk u tërhoq. Në një përpjekje tjetër, ai tentoi të joshte rreth 50 punonjës të kompanisë, me fokus të veçantë bashkëthemeluesin Andrew Tulloch. Për këtë të fundit, oferta arriti në 1.5 miliardë dollarë për një periudhë 6-vjeçare. Edhe kjo përpjekje rezultoi e pasuksesshme – Tulloch dhe të tjerët zgjodhën të qëndronin pranë Muratit.

Zëdhënësi i Metës, Andy Stone, e mohoi versionin e raportuar nga mediat, duke e quajtur “të pasaktë dhe qesharak”, por sipas burimeve të “Wall Street Journal”, oferta ka qenë reale dhe e detajuar.

Pse e duan Mira Muratin?

Murati është një nga figurat më të respektuara në sektorin e AI-së. Në OpenAI, ajo drejtoi projekte kyçe dhe fitoi reputacion për aftësitë menaxheriale, inteligjencën emocionale dhe kulturën gjithëpërfshirëse që ndërtoi me ekipin.

Në startup-in e saj të ri, ajo ka tërhequr 20 kolegë nga OpenAI, përfshirë edhe John Schulman, një nga arkitektët e ChatGPT-së. Produkti që po zhvillojnë mbetet sekret, por është përshkruar si një “AI multimodale” që do të ndërveprojë me botën në mënyrë të natyrshme, ashtu si njerëzit.

Mbështetja ndërkombëtare dhe shqiptare

Deri tani, “Thinking Machines Lab” ka siguruar mbi 2 miliardë dollarë financime nga kompani të mëdha si Nvidia, AMD dhe Jane Street. Edhe qeveria shqiptare ka investuar 10 milionë dollarë nëpërmjet Korporatës së Investimeve Shqiptare.

Zyra e kompanisë ndodhet në lagjen Mission të San Franciskos, pranë selisë së OpenAI. Produkti i parë pritet të prezantohet brenda disa muajsh.

ME TE LEXUARAT