Nëna akuzohet për vrasjen e dy fëmijëve 11 vite pasi u zhdukën pa gjurmë

Catherine Hoggle, 38 vjeçe nga Clarksburg, Maryland, është akuzuar zyrtarisht për dy akuza vrasjeje të shkallës së parë, 11 vite pas zhdukjes pa gjurmë të fëmijëve të saj të vegjël, Sarah (3 vjeçe) dhe Jacob (2 vjeç).
Fëmijët u zhdukën në shtator të vitit 2014, dhe që nga ajo kohë, Hoggle ka qenë personi i fundit që i ka parë të gjallë. Fillimisht, ajo kishte pretenduar para partnerit të saj, Troy Turner, se i kishte çuar fëmijët në një qendër të re kujdesi, por refuzoi të jepte detaje për vendndodhjen e saj, pikërisht në ditën kur ai kishte planifikuar t’i merrte fëmijët.
Hoggle kishte probleme të dokumentuara me shëndetin mendor. Për këtë arsye, në të kaluarën ishte shpallur e paaftë për të dalë në gjyq dhe ishte dërguar në një institucion psikiatrik. Megjithatë, muajin e kaluar ajo u lirua nga trajtimi mjekësor.
Më 31 korrik 2025, një Grand Jury në Montgomery County ktheu aktakuzën për vrasje, duke e bërë përgjegjëse për zhdukjen dhe vdekjen e dy fëmijëve. Ajo u arrestua më 1 gusht në Kent County, menjëherë pasi autoritetet u informuan se nuk ishte më nën kujdes mjekësor. Aktualisht ndodhet në Njësinë Qendrore të Përpunimit të Qarkut Montgomery, në Rockville.
Zyra e Prokurorit të Shtetit në Montgomery konfirmoi në një deklaratë zyrtare:
“Catherine Ashley Hoggle, 38 vjeçe, nga Clarksburg, është akuzuar nga Grand Jury për dy akuza të vrasjes së shkallës së parë për vdekjen e fëmijëve të saj, Sarah dhe Jacob Hoggle. Aktakuza u kthye të enjten, më 31 korrik 2025.”
Ndërkohë, babai i fëmijëve, Troy Turner, përmes faqes në Facebook FindSarahFindJacob, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit, duke thënë:
“Po ndjekim nga afër zhvillimet më të fundit dhe vazhdojmë të bashkëpunojmë me autoritetet për të kërkuar drejtësi për Sarah dhe Jacob. Ju lutemi të respektoni privatësinë tonë ndërsa përpiqemi të rindërtojmë jetën dhe në të njëjtën kohë vazhdojmë kërkimin për fëmijët tanë.”
Ndërkohë, avokatët e Hoggle kanë kërkuar që akuzat të hidhen poshtë, duke pretenduar se bëhet fjalë për të njëjtat akuza që ishin rrëzuar në vitin 2022.
Hetimet për këtë çështje tragjike që ka tronditur opinionin publik në SHBA, vijojnë.


