Instagram-i nxjerr në shesh mashtrimin e madh të robotëve me fytyrë njeriu, zbulohen masat e reja

Instagram po ashpërson kontrollet ndaj profileve që përdorin persona të krijuar me inteligjencë artificiale dhe paraqiten si njerëz realë, në një përpjekje për të rritur transparencën dhe për të mbrojtur përdoruesit nga mashtrimet.
Rrjeti social do të ndryshojë etiketën “AI creator” në “AI-generated profile”, duke e bërë më të qartë se pas një profili që duket si një person real mund të mos qëndrojë një individ i vërtetë, transmeton Telegrafi.
Instagram ka bërë të ditur se ka marrë ankesa nga përdorues të cilët janë ndier të mashtruar pasi kanë ndjekur profile që dukeshin si njerëz realë, për të zbuluar më vonë se personazhet ishin krijuar tërësisht nga AI.
Sipas kompanisë, profilet që përdorin persona të gjeneruar nga inteligjenca artificiale, por nuk e bëjnë të qartë këtë fakt, mund të identifikohen nga platforma dhe të përballen me kufizime në shpërndarje.
Në veçanti, postimet e këtyre profileve mund të mos rekomandohen më për përdoruesit që nuk i ndjekin, përmes seksioneve Reels dhe Explore. Në rast se një profil etiketohet gabimisht, pronari do të ketë mundësi të apelojë vendimin.
Megjithatë, Instagram bën dallimin mes përdorimit të AI për krijimin e përmbajtjes dhe krijimit të një personazhi që paraqitet si individ real. Përdorimi i mjeteve të inteligjencës artificiale për fotografi, video apo materiale të tjera nuk do të nënkuptojë domosdoshmërisht se profili duhet të etiketohet si i krijuar nga AI.
Masa e re synon kryesisht profilet ku vetë personi që paraqitet është i gjeneruar nga inteligjenca artificiale, ndërsa llogaria krijon përshtypjen se bëhet fjalë për një njeri real.
Ndryshimi vjen në një kohë kur “AI influencers” po bëhen gjithnjë e më bindës dhe më të vështirë për t’u dalluar nga njerëzit realë. Kjo ka ngritur shqetësime për mashtrimet, transparencën dhe mënyrën se si përdoruesit ndërveprojnë me përmbajtjen në rrjetet sociale.
Instagram synon që përdoruesit ta kuptojnë më lehtë kur një profil që duket si person real është në fakt krijim i inteligjencës artificiale.


