Filtri i SPAK-ut/ GJKKO ‘ekzekuton’ grupin e vjetër të WhatsApp-it, nis spastrimi i gazetarëve dhe akreditimi me rregullat e reja

Aktualitet

Filtri i SPAK-ut/ GJKKO ‘ekzekuton’ grupin e vjetër të
GJKKO ndryshon mënyrën e komunikimit me mediat. Me hyrjen në fuqi të rregullores së re të brendshme për sigurinë, rendin dhe sjelljen në ambientet e gjykatës, grupi aktual i WhatsApp-it me gazetarët nuk do të jetë më aktiv.

Gjykata njofton se në vijim do të krijohet një grup i ri komunikimi, ku do të përfshihen vetëm përfaqësuesit e medias të akredituar pranë GJKKO-së.

Nëpërmjet këtij grupi do të vijojë shpërndarja e njoftimeve për çështjet dhe kërkesat penale të shpallura, deklaratat për shtyp dhe komunikimet e tjera me interes për median.

Megjithatë, njoftimet që do të dërgohen në grupin e ri do të publikohen edhe në faqen zyrtare të GJKKO-së, duke bërë që informacioni të jetë i aksesueshëm edhe jashtë grupit të komunikimit.

Për t'u bërë pjesë e komunikimit të ri, gazetarët duhet të ndjekin procedurën e akreditimit pranë gjykatës.

Në faqen zyrtare, në rubrikën “Multimedia”, janë publikuar formulari i akreditimit dhe deklarata për njohjen dhe respektimin e rregullave të sigurisë, rendit dhe sjelljes.

Dokumentet duhet të dorëzohen së bashku me materialet e tjera të kërkuara nga neni 90 i rregullores dhe aneksi nr. 7.

Kërkesa për akreditim mund të dorëzohet dorazi në Zyrën e Protokollit të GJKKO-së, nëpërmjet postës ose me email në adresën e përcaktuar nga gjykata.

Ndryshimi vjen në kuadër të zbatimit të rregullores së re të brendshme të GJKKO-së dhe prek drejtpërdrejt mënyrën e aksesit dhe komunikimit të përfaqësuesve të medias me gjykatën.

NJOFTIM PËR MEDIAT

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar njofton përfaqësuesit e medias se, në kuadër të hyrjes në fuqi të Rregullores së Brendshme “Për sigurinë, rendin, solemnitetin dhe rregullat e sjelljes në ambientet e GJKKO-së”, si dhe fillimit të procesit të akreditimit të përfaqësuesve të medias, grupi aktual i komunikimit të Gjykatës me mediat në aplikacionin WhatsApp, duke filluar nga data e sotme, nuk do të jetë më aktiv.

Në vijim, Gjykata do të krijojë një grup të posaçëm komunikimi në aplikacionin WhatsApp, në të cilin do të përfshihen vetëm përfaqësuesit e medias të akredituar pranë GJKKO-së.

Nëpërmjet këtij grupi do të vijojë shpërndarja e njoftimeve për çështjet dhe kërkesat penale të shpallura, deklaratave për shtyp, si dhe çdo komunikimi tjetër me interes për median.

Të gjitha njoftimet dhe komunikatat që do të shpërndahen në grupin e ri të komunikimit me mediat do të publikohen, në çdo rast, edhe në faqen zyrtare të Gjykatës.

Lidhur me procedurën e akreditimit të përfaqësuesve të medias pranë GJKKO-së, në faqen zyrtare të Gjykatës, në rubrikën “Multimedia”, në seksionin “Akreditimi i përfaqësuesve të medias pranë GJKKO-së”, gjenden:

Aneksi nr. 7 – “Formular për akreditimin e përfaqësuesve të medias”;
Aneksi nr. 8 – “Deklaratë e njohjes dhe respektimit të rregullave të sigurisë, rendit dhe sjelljes nga përfaqësuesit e medias”.
Formulari dhe deklarata e mësipërme duhet të paraqiten së bashku me dokumentet e tjera të përcaktuara në nenin 90 të Rregullores së Brendshme dhe në aneksin nr. 7 të saj.

Kërkesa për akreditim dhe dokumentacioni shoqërues mund të paraqiten:

dorazi, pranë Zyrës së Protokollit të GJKKO-së;
nëpërmjet shërbimit postar; ose
me postë elektronike, në adresën: [email protected].
Gjykata falënderon përfaqësuesit e medias për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin.

ME TE LEXUARAT