Të lënduarit gjatë protestës në Tiranë, një efektiv i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale. Katër protestues nën kujdes mjekësor

Përditësim mbi gjendjen shëndetësore të personave të lënduar gjatë protestës, ora 19:31
Në Spitalin Universitar të Traumës gjatë ditës së sotme janë trajtuar 26 të lënduar: efektivë policie, protestues dhe kalimtarë. Aktualisht janë nën kujdesin mjekësor dy efektivë policie. Efektivi me inicialet D. K. është shtruar në shërbimin e Neurokirurgjisë për monitorim të mëtejshëm dhe paraqitet në gjendje të mirë shëndetësore.
Efektivi me inicialet F. R., i ardhur nga Shkodra, i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale për shkak të një dëmtimi në kokë dhe pritet reagimi i tij.
Gjithashtu, dy protestues janë nën kujdesin mjekësor dhe paraqiten në gjendje të mirë shëndetësore; njëra prej tyre (vajzë) ndodhet në observim, në gjendje me parametra stabilë për momentin.
Pak minuta më parë kanë mbërritur edhe tre kalimtarë, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.
Në QSUT nuk ka asnjë të lënduar aktualisht.


