Subvencionimi i qirasë mujore nga shteti, si do funksionojë skema dhe kush përfiton

Qeveria shqiptare ka prezantuar Programin e ri Kombëtar të Strehimit, i cili parashikon subvencionimin e qirasë dhe mbështetjen e studentëve dhe çifteve të reja.
Por si do të funksionojë ky program dhe sa kuota do të jenë në dispozicion?
Zv.ministri i Ekonomisë Enkelejd Musabelliu, në një intervistë për emisionin E-Zone në Vizion Plus me Rajmonda Lajthia dha detaje se si do të funksionojë ky program.
“Janë disa programe të reja që do lancohen sapo ligji të miratohet. Një nga ato është subvencionimi i qirasë për studentët dhe të rinjtë. Janë 3 mijë kuota për qira deri në 500 euro në muaj shteti do marr përsipër rimbursimin e gjysmës së vlerës. Do funksionojë në dy mënyra.
Mënyra e parë: Nëse një i ri jeton në një shtëpi me qera me kontratë mund të aplikojë në ealbania dhe të kërkojë subvencionimin. Paralel me këtë do krijohet edhe një portal, ku të rinjtë dhe studentët të kërkojnë apartamente dhe pronarët të publikojnë njoftime”, tha Musabelliu.
Por cila kategori do të jetë në fokusin e qeverisë?
“Skemat kanë kritere dhe targetimi fokusohet tek shtresat në nevojë. Por vëmendje po marrin edhe shtresat e mesme. Do përpiqemi të subvencionojmë të gjithë studentët që aplikojnë për këtë”, shtoi Musabelliu për E-Zone në /Vizion Plus.


