Spanja rivale me Shqipërinë, Morata: Kuqezinjtë kanë lojtarë cilësorë
Sulmuesi i kombëtares spanjolle Alavaro Morata ka vlerësuar kombëtaren shqiptare. Bomberi i Atletiko Madrid, i pyetur nga mediet për përballjet në grupin B të Europianit “Gjermani 2024”, ku ndodhet edhe kombëtarja kuqezi, tha se përfaqësuesja shqiptare ka futbollistë cilësorë dhe nuk duhet nënvlerësuar.
“Duam të shkruajmë historinë dhe të fitojmë titullin. Ne kemi fituar 3 Europianë, po aq sa Gjermania, ndërkohë që asnjë skuadër nuk ka arritur ta fitojë 4 herë këtë trofe dhe ne kemi ambicien për t’ia arritur këtij qëllimi. Jemi të karikuar në maksimum dhe kemi një dëshirë të madhe për të punuar e bërë mirë në Gjermani”, tha Morata.
I pyetur për rivalët, ai tha se ka skuadra edhe më të mira se Spanja në këtë kompeticion, ndërkohë që për sa i takon grupit B, Morata shprehet se me Italinë dhe Kroacinë janë skuadra me të cilat iberikët janë sfiduar edhe më herët.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
“Jemi në gjendje të përballemi me çdo kundërshtar. Italinë dhe Kroacinë i njohim mirë, pasi jemi përballur me ta në Nations League. Janë kombëtare me lojtarë konkurrues, cilësi që e kanë edhe shqiptarët dhe nuk duhen nënvlerësuar. Duhet t’i bëjmë të vuajnë kundërshtarët tanë duke qarkulluar ne topin”, theksoi sulmuesi i Atletico Madrid.
Shqipëria në finalet e Europianit “Gjermani 2024” është në grupin B, së bashku me Italinë, Kroacinë dhe Spanjën. Kuqezinjtë rrugëtimin në evropian e nisin me Italinë, për të vijuar me Kroacinë dhe për ta mbyllur me Spanjën.