Risi nga FIFA, kampionët e Botërorit do të shpërblehen edhe me unaza

FIFA ka menduar një risi historike në finalen e Kupës së Botës 2026, duke prezantuar për herë të parë unaza speciale për kampionët e botës, një traditë e njohur prej vitesh në sportet amerikane, veçanërisht në NBA.
Përveç trofeut dhe medaljeve të arta, futbollistët e kombëtares fituese do të marrin edhe unaza të personalizuara, të dizajnuara ekskluzivisht për triumfin e tyre në turneun më të madh të futbollit.
FIFA ka prodhuar gjithsej 2.026 unaza, një numër simbolik që përkon me vitin e zhvillimit të Botërorit. Gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve në finalen e 19 korrikut, kapiteni dhe trajneri i ekipit fitues do të mbajnë një version provizor të unazës.
Më pas do të prodhohen 30 unaza të personalizuara, të përshtatura sipas masës së secilit anëtar të skuadrës kampione.
Në njërën anë të unazës do të jetë i gdhendur trofeu i Kupës së Botës, ndërsa në anën tjetër identiteti i kombëtares fituese.
Risia nuk do të jetë e rezervuar vetëm për kampionët. Nga seria e përgjithshme, 1.996 unaza do të dalin në shitje si produkte zyrtare të FIFA-s, të shoqëruara me certifikatë autenticiteti.
Në këtë mënyrë, tifozët nga e gjithë bota do të kenë mundësinë të blejnë një suvenir unik, që shënon një kapitull të ri në historinë e Kupës së Botës dhe sjell në futboll një traditë të frymëzuar nga sportet amerikane.


