Miqësoret i kushtojnë Shqipërisë, Kombëtarja humb dy pozicione në renditjen e FIFA-s
Humbjet në miqësoret e marsit i kushtojnë dy shkallë Shqipërisë në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA-s, të publikuar së fundmi.
Pas humbjes 3-0 ndaj Kilit dhe asaj 1-0 me Suedinë, kombëtarja kuqezi renditet në vendin e 66-të në klasifikimin e përditësuar për muajin prill, nga i 64-ti ku ndodhej dy muaj më parë, pasi ka humbur 7.59 pikë si rezultat i disfatave në testet e zhvilluara para pak ditësh.
Gjithsesi renditja e FIFA-s edhe pse me një peshë specifike, nuk është vendimtare në muajt pasardhës duke qenë se do të jetë pikërisht Europiani që do të zhvillohet në muajin qershor kompeticioni që do të vendosë më së shumti.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Ndërkohë nuk kanë pasur asnjë efekt në aspektin e renditjes dy takimet e para të Franco Foda në stolin e Kosovës. Dardanët, që fituan 1-0 Armeninë dhe u mposhtën më pas 2-0 nga Hungaria, ruajnë të njëjtin vend në klasifikimin global, ku ndodhen të 102-tët, ashtu si dhe një muaj më parë.
Për sa i përket kreut, Argjentina e vendit të parë vazhdon të udhëheqë para Francës, por Belgjika ngjitet në pod në vendin e tretë, duke përfituar një pozicion në kurriz të Anglisë, që zbret në vendin e katërt, dhe Brazilit në të pestin.
“Selecao” ndien ndërkohë presionin e Portugalisë, që ngjit në shkallë, duke u pozicionuar e gjashta në botë, teksa Holanda ka humbur një pozicion. 10-shja më e mirë e Botës mbyllet pikërisht me kundërshtarët e Shqipërisë në Grupin B të finaleve të Euro 2024 me Spanjën të 8-tën, Italinë të 9-tën dhe Kroacinë në vendin e 10-të, që nuk kanë ndryshuar pozicionet e tyre./ Super Sport