Leverkusen “burgos” Xhakën, Ten Hag: Nuk ikën askund, është shtylla e ekipit

Granit Xhaka mbetet në qendër të merkatos, por Bayer Leverkusen ka mbyllur çdo derë për një largim të mundshëm të mesfushorit shqiptar.
Pavarësisht interesit nga Milan dhe Inter, dhe një marrëveshjeje të pretenduar me klubin anglez Sunderlend, Leverkusen nuk është gati ta lëshojë liderin e mesfushës. Agjenti i Xhakës u shpreh publikisht:
“Kemi arritur akordin me Sunderlend. Graniti dëshiron të rikthehet në Premier League dhe ka pranuar sfidën. Tani presim që Leverkusen të respektojë dëshirën e tij.”
Por trajneri i skuadrës gjermane, Erik ten Hag, reagoi menjëherë duke mbyllur çdo diskutim:
“Agjenti i tij mund të thotë çfarë të dojë, por Xhaka nuk largohet. Kemi lënë të lirë tre lojtarë kyç këtë verë, Wirtz, Frimpong dhe Tah. Nuk do të lejojmë që të largohet edhe Graniti. Ai ka ende tre vite kontratë dhe është një lojtar kyç, një lider në fushë dhe në dhomat e zhveshjes.”
Në të njëjtën linjë ishte edhe drejtori sportiv Simon Rolfes:
“E kam thënë disa herë, Graniti është një nga liderët tanë. Kam folur me trajnerin dhe të gjithë jemi të një mendimi – ai qëndron. Ka kontratë dhe vetëm nëse të tre palët bien dakord, mund të flasim për largim.”
Për momentin, rikthimi i Xhakës në Angli mbetet vetëm dëshirë. Leverkusen nuk ka ndërmend të humbasë një tjetër peshë të rëndë nga grupi.


