Studim/ Fëmijët që marrin celular para moshës 13-vjeçare, më të rrezikuar për vetëvrasje dhe probleme psikologjike

Një studim masiv ndërkombëtar ka nxjerrë në pah pasoja serioze për shëndetin mendor të fëmijëve që marrin një telefon të mençur në moshë të hershme. Sipas hulumtimit, sa më herët një fëmijë nis të përdorë celular, aq më të mëdha janë gjasat që të përballet me probleme të thella emocionale, sociale dhe konjitive më vonë gjatë jetës.
Të dhënat e publikuara nga Journal of Human Development and Capabilities, të mbledhura nga afro 2 milionë pjesëmarrës në 163 shtete, fokusohen tek 100 mijë individë të moshës 18-24 vjeç – Gjenerata Z – grupi i parë që është rritur i ekspozuar ndaj teknologjisë që në fëmijëri.
• Fëmijët që kanë marrë celular për herë të parë para moshës 13 vjeç, shfaqin më vonë simptoma si agresivitet, shkëputje nga realiteti, halucinacione, ulje të vetëvlerësimit dhe kontroll emocional të dobët.
• Tek vajzat janë vërejtur më shumë raste të mendimeve vetëvrasëse dhe përjetimeve halucinative.
• Djemtë vuajnë nga mungesa e empatisë, qetësisë dhe qëndrueshmërisë emocionale.
“Magnituda e ndikimit është e frikshme. Nëse trendet aktuale vijojnë, vetëm mosha e hershme e përdorimit të celularit dhe rrjeteve sociale mund të jetë përgjegjëse për një të tretën e çrregullimeve mendore në brezat e ardhshëm”, thekson studimi.
Problemi qëndron te rrjetet sociale
Celularët janë porta drejt rrjeteve sociale, të cilat funksionojnë me algoritme që synojnë maksimizimin e përfshirjes së përdoruesit – pa marrë parasysh pasojat psikologjike. Studimi tregon se mosha kur fëmijët marrin akses në rrjete sociale është përgjegjëse për 40% të ndikimeve negative në shëndetin mendor.
Vendet anglishtfolëse – SHBA, Britania, Kanadaja dhe Australia – renditen më lart për përdorim të hershëm të celularëve. Studiuesit theksojnë se përmbajtja në gjuhën angleze është më e dëmshme, më e hiper-seksualizuar dhe më shfrytëzuese krahasuar me gjuhët dhe kulturat e tjera.
Ky studim është një thirrje e fortë për prindërit dhe politikat publike. Mosha e aksesit në teknologji nuk është thjesht çështje komoditeti apo mode, por një faktor vendimtar për mirëqenien mendore të brezave të ardhshëm. Limiti i moshës për përdorimin e celularëve dhe rrjeteve sociale nuk është më një opsion – është një domosdoshmëri.


