Zbulohet fotoja e të shumëkërkuarit me tre identitete, dyshohet se fshihet në Dubai – pjesë e trafikut të drogës

Një tjetër zhvillim vjen nga hetimet për rrjetin e trafikut të drogës të goditur së fundmi nga autoritetet shqiptare. Është bërë publik identiteti dhe fotoja e një prej të dyshuarve kryesorë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, për të cilin Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lëshuar masën e sigurisë “arrest me burg”.
Bëhet fjalë për Elidon Skëndajn, një emër i njohur për drejtësinë, i cili ka përdorur të paktën dy identitete të tjera: Devid Patrut dhe Devid Boraj. Burime zyrtare dyshojnë se ai është larguar nga Shqipëria menjëherë pas nisjes së hetimeve dhe mund të jetë strehuar në Dubai, ku ndodhen edhe persona të tjerë të përfshirë në aktivitet të ngjashëm kriminal.
Ky është personi i shtatë i përfshirë në dosjen penale të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Emri i tij doli gjatë hetimeve të thelluara dhe analizës së komunikimeve të koduara, të cilat çuan në zbulimin e të gjithë rrjetit.
Aktualisht, autoritetet shqiptare janë në kontakt me partnerët ndërkombëtarë për lokalizimin dhe arrestimin e tij. Procedurat janë në vijim dhe bashkëpunimi ndërkombëtar mbetet kyç në këtë fazë të operacionit.
Deri më tani, disa anëtarë të këtij grupi janë vënë në pranga, ndërsa për të tjerët po vijojnë kërkimet brenda dhe jashtë vendit.


