Sobat tradicionale me dru janë RREZIK për shëndetin! Ja çfarë zbuloi studimi

Soft

Sobat tradicionale me dru janë RREZIK për shëndetin! Ja

Sobat me dru, të cilat prej vitesh promovohen si një zgjidhje e ngrohtë dhe “miqësore me mjedisin”, mund të jenë shumë më të rrezikshme për shëndetin sesa mendohej më parë.

Një studim i ri i prezantuar në Kongresin e Shoqatës Evropiane të Frymëmarrjes, të mbajtur në Amsterdam, ka zbuluar se ekspozimi ndaj tymit të prodhuar nga sobat me dru ndikon negativisht në funksionin e mushkërive në mënyrë të ngjashme me dëmet që shkakton pirja e duhanit.

Studiuesit nga University College London analizuan të dhënat e mijëra personave nga Studimi Gjatësor Anglez i Plakjes, duke ndjekur gjendjen e tyre shëndetësore për më shumë se tetë vite. Ata përdorën testin FEV1, një matës i rëndësishëm i kapacitetit të frymëmarrjes, për të vlerësuar ndikimin e sobave me dru në mushkëri.

Gjetjet ishin shqetësuese: përdoruesit e sobave me dru përballen me një rënie më të shpejtë të funksionit të mushkërive krahasuar me personat që nuk i përdorin ato edhe pse shumë prej tyre nuk pinin duhan dhe jetonin në kushte më të mira ekonomike e shëndetësore.

Edhe pse studimi është zhvilluar në Mbretërinë e Bashkuar, ndikimi i sobave me dru nuk njeh kufij. Në Shqipëri, ku përdorimi i drurit për ngrohje është ende i përhapur në shumë zona, sidomos në dimër, shqetësimet për ndikimin në shëndet mbeten të njëjta. Shtëpitë pa ventilim të mjaftueshëm, mungesa e standardeve për sobat që importohen apo prodhohen dhe vetëdija e ulët rrisin ndjeshëm rrezikun për komplikacione afatgjata në mushkëri.

Dr. Laura Horsfall, drejtuesja e studimit, u shpreh: Studimi ynë tregon se grimcat e imëta të prodhuara nga djegia e drurit shkaktojnë inflamacion dhe dëmtojnë indet e mushkërive në mënyrë të ngjashme me tymin e cigareve. Djegia e drurit në ambiente të brendshme është një burim i ndotjes së ajrit që shpesh nënvlerësohet.

Sipas saj, edhe modelet moderne të sobave të quajtura “eko-dizajn” nuk janë tërësisht të sigurta dhe mund të përbëjnë rrezik të vazhdueshëm për shëndetin e familjeve veçanërisht për fëmijët dhe të moshuarit, të cilët janë më të ndjeshëm ndaj ndotjes së ajrit.

ME TE LEXUARAT