“Shtrëngohet” kontrolli mbi pronarët përfitues, raportim brenda 28 ditëve dhe verifikim i pronësisë

Kompanitë do të kenë më pak kohë për të deklaruar ndryshimet dhe më shumë detyrime për të provuar se kush i zotëron ose i kontrollon realisht, sipas projektligjit të ri “Për regjistrin e pronarëve përfitues”. Drafti shkurton nga 90 në 28 ditë kalendarike afatin për regjistrimin e ndryshimeve të të dhënave mbi pronarët përfitues. Ligji aktual u jep subjekteve deri në 90 ditë nga data e ndryshimit faktik.
Sipas projektligjit, ndryshimet duhet të raportohen “pa vonesa të paarsyeshme” dhe, në çdo rast, brenda afatit të ri 28-ditor. Pragu për identifikimin e pronësisë direkte ose indirekte mbetet 25%, por zgjerohet mënyra se si përcaktohet personi që ushtron kontrollin përfundimtar.
Pronari përfitues përkufizohet si individi që “ka në pronësi ose kontrollon i fundit një person juridik”, përmes kuotave, aksioneve, të drejtave të votës ose kontrollit të ushtruar me mjete të tjera.
Afati ulet në 28 ditë, zgjerohet verifikimi i kontrollit real
Për pronësinë indirekte, drafti kërkon që të merren parasysh kuotat, aksionet dhe të drejtat e votës në çdo nivel të strukturës së pronësisë. Pjesëmarrjet e zotëruara nga subjektet ndërmjetëse do të shumëzohen përgjatë zinxhirit dhe rezultatet e zinxhirëve të ndryshëm do të mblidhen për të përcaktuar interesin përfundimtar. Kjo do të thotë se identifikimi nuk do të kufizohet vetëm te aksionari i regjistruar formalisht, por do të përfshijë edhe individin që kontrollon vendimmarrjen ose përfiton përfundimisht nga subjekti.
Projektligji përkufizon edhe “marrëveshjen formale të emërimit”, ku një person udhëzon një tjetër që të veprojë në emër të tij si drejtor, aksionar ose themelues. Kompanitë duhet të mbajnë të dhëna dhe dokumente të sakta e të përditësuara, mbi bazën e të cilave është identifikuar pronari përfitues dhe mënyra e ushtrimit të kontrollit. Kur pronari real nuk mund të përcaktohet menjëherë, subjekti duhet të dokumentojë hapat e ndërmarrë, kërkesat për informacion dhe arsyet pse identifikimi nuk ka qenë i mundur.
Për verifikimin mund të përdoren aktet e themelimit, statutet, marrëveshjet mes ortakëve, vendimet e organeve drejtuese, prokurat dhe kontrata të tjera që tregojnë marrëdhëniet e kontrollit. Drafti zgjeron gjithashtu informacionin bazë që duhet të mbahet për personat juridikë, përfshirë selinë, vendin kryesor të aktivitetit, përfaqësuesit ligjorë dhe strukturën e aksionarëve.
Në rastin e fondacioneve, informacioni bazë përfshin edhe pasuritë e zotëruara për realizimin e qëllimeve të tyre. Për organizatat jofitimprurëse, pronar përfitues mund të jetë themeluesi, përfaqësuesi ligjor ose individi që ushtron kontroll të fundit efektiv mbi administrimin dhe vendimmarrjen.
Kontrolli efektiv lidhet me aftësinë për të përcaktuar vendimet ose për të ndikuar në zgjedhjen, emërimin dhe largimin e shumicës së organeve drejtuese.
Projektligji vendos rregulla më të hollësishme edhe për trustet dhe organizimet ligjore me funksione të ngjashme. Në regjistër do të identifikohen krijuesi i trustit, kujdestari, mbrojtësi, përfituesit dhe çdo individ tjetër që ushtron kontrollin përfundimtar.
Drafti përkufizon veçmas edhe përfituesit e mundshëm dhe ata të paracaktuar në një trust diskrecional. Kujdestarët duhet të mbajnë informacion mbi strukturën, pasuritë dhe personat që përfitojnë ose kontrollojnë organizimin ligjor.
QKB zgjeron kontrollet, mospërputhjet mund të sjellin pezullim shërbimesh
Qendra Kombëtare e Biznesit mbetet administratore e Regjistrit të Pronarëve Përfitues, por projektligji forcon përgjegjësitë e saj për kontrollin dhe përpunimin e informacionit. Regjistri përcaktohet si një bazë elektronike shtetërore që mbledh në kohë reale të dhëna nga regjistrat përkatës dhe shërben si “arkiv elektronik zyrtar”.
QKB-ja do të mund të krahasojë informacionin e deklaruar nga subjektet me të dhënat që zotërojnë institucionet e tjera shtetërore. Në listën e autoriteteve kompetente përfshihen Agjencia e Inteligjencës Financiare, Banka e Shqipërisë, administrata tatimore, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Policia e Shtetit, Prokuroria dhe SPAK-u.
Kur një subjekt i detyruar konstaton mospërputhje, ai duhet të njoftojë subjektin raportues dhe QKB-në. Subjekti raportues duhet të korrigjojë të dhënat, nëse konstatimi është i saktë, ose të konfirmojë informacionin e mëparshëm, nëse vlerëson se nuk ka pasaktësi.
Mosplotësimi i detyrimit mund të sjellë ndërprerjen e shërbimeve nga QKB-ja deri në përditësimin ose konfirmimin e të dhënave dhe pagesën e gjobës përkatëse. Relacioni përcakton si objektiv vendosjen e mekanizmave të “verifikimit, kontrollit dhe validimit të të dhënave”, për të rritur integritetin dhe besueshmërinë e regjistrit. Subjektet duhet ta kontrollojnë periodikisht informacionin mbi pronësinë përfituese dhe ta mbajnë atë të plotë, të saktë dhe të përditësuar. Regjimi i aksesit diferencohet ndërmjet autoriteteve kompetente, subjekteve të detyruara dhe personave që provojnë një interes legjitim.
Gazetarët dhe personat që veprojnë për qëllime raportimi përfshihen ndër kategoritë që mund të kërkojnë akses mbi bazën e interesit legjitim. Projektligji forcon edhe përgjegjësinë administrative për mosmbajtjen e dokumentacionit dhe për të dhënat e pasakta ose të papërditësuara. Krahas gjobave, parashikohet pezullimi i shërbimeve, ndërsa lejohen procedurat e nevojshme për korrigjimin e informacionit dhe përmbushjen e detyrimeve. Në rast të pengesave të veçanta dhe jashtë vullnetit të subjektit, mund të kërkohet rivendosja në afat brenda 30 ditëve nga zhdukja e shkakut që e pengoi të vepronte. Relacioni e përshkruan reformën si kalim “nga një qasje më formale dhe e fragmentuar” drejt një modeli të integruar, të verifikueshëm dhe të mbështetur në të dhëna të sakta e të përditësuara./Monitor


