Qiratë e larta 'detyrojnë' studentët t’u drejtohen konvikteve, rriten me 70% kërkesat për akomodim

Për të rinjtë që zgjedhin Tiranën për të studiuar, sfida e parë dhe jo fort e lehtë është ajo e akomodimit. Me nisjen e vitit të ri akademik, kërkesa për apartamente rritet ndjeshëm. Por bashkë me kërkesën, rriten edhe çmimet.
Në zonat pranë universiteteve, një apartament 1+1 me qira nuk gjenden nën 350 euro.
“Kryesisht në periudhën e shtatorit dhe tetorit ne shikojmë një rritje artificiale nga pronarët e apartamenteve për shkak të kërkesës së lartë. Në zonat afër shkollave ku janë universitetet, ka raste që për një pronë ka disa kërkesa. Kështu që pronarët zgjedhin ta abuzojnë. Çmimi minimalisht është 350 euro”, tha Orgest Beti, agjent imobiliar.
Për familjet që kanë më shumë se një fëmijë në universitet, kostoja bëhet edhe më e rëndë. Një prind nga Librazhdi, që ka të treja vajzat studente në kryeqytet, thotë se nuk ka gjetur një alternativë tjetër dhe është detyruar të marrë shtëpi me qira.
“Me qira paguajmë 500 mijë lekë. Po ç’të bëj?”.
Përballë këtyre çmimeve, shumë studentë zgjedhin të ndajnë një apartament me të tjerë, të largohen nga zonat pranë universiteteve ose të kërkojnë alternativa më ekonomike.
Dhe ajo më e përshtatshmja, për pjesën dërrmuese të studentëve dhe familjeve të tyre, duket akomodimi në rezidencat studentore, ku tarifat janë gati të pakrahasueshme me tregun privat të qirave.
“Pashë çmimet dhe mu duk me leverdi konvikti.”
“Normalisht konvikt.”
“Po më mirë konvikte, sepse janë më të përballueshme në fakt.”
“Tani shtëpitë me qira janë rritur. Studenti është student, më mirë konvikti, sepse qiraja është rritur shumë.”
Drejtori i Përgjithshëm i Rezidencës Studentore Universitare, Olsi Shahini, thotë se këtë vit kërkesat për konvikte janë rritur ndjeshëm.
“Kemi afro 70% kërkesa më shumë për konviktet. Jo vetëm tek ato të rregulluarat, por edhe tek të vjetrat ka shumë kërkesa. Kemi kapacitet për afro 7 mijë studentë”, tha Olsi Shahini, drejtor i Përgjithshëm i Rezidencës Studentore Universitare.
Ndërtesat e reja ofrojnë kushte shumë më komode, me sisteme moderne ngrohjeje, hidraulike dhe elektrike, si dhe tualete e dushe funksionale për 2 persona.
Në godinat e vjetra, nuk janë të njejtat kushte. Ato janë të amortizuara, me hapësira të përbashkëta si dushe dhe tualete për një numër të madh studentësh.
Rezidencat studentore aplikojnë tre nivele tarifash në bazë të kushteve që ofrojnë dhe numrin e studenteve që ka në secilën dhomë.
“Janë tre fasha të pagesës, 4500 lekë të reja në muaj, ku përfshihet drita dhe uji të paguara, interneti falas dhe të gjithë fasilitetet, siç është lavanderia, që është falas për çdo student. Pastaj është 5500 lekë dhe 6500 lekë. Këto janë tre fashat e pagesës për çdo muaj për çdo student”, tha Olsi Shahini.
Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë vitit akademik 2025-2026, në Tiranë kanë studiuar gjithsej 45,009 të rinj.


