Atentati në Sarandë/ Hita: Fokus, hetimi i ngjarjeve kriminale aktuale dhe të viteve të kaluara

Aktualitet

Atentati në Sarandë/ Hita: Fokus, hetimi i ngjarjeve kriminale aktuale

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, zhvilloi analizë me strukturat e Komisariatit të Policisë Sarandë, pas ngjarjes së rëndë të ndodhur paraditen e sotme, ku mbeti i vrarë me armë zjarri një 44-vjeçar dhe u plagos një 73-vjeçar, kalimtar i rastit.

Gjatë analizës, Drejtori i Përgjithshëm kërkoi hetime të shpejta dhe të thelluara, si dhe një skanim tërësor të situatës operative, nga evidentimi i konflikteve më të mprehta deri te konfliktet më të vogla, identifikimin e personave me precedent, si dhe të kontingjentit kriminal që është në zonë, por edhe atij shëtitës.

Ai kërkoi rezultate konkrete për dokumentimin e ngjarjes së rëndë kriminale të ndodhur sot, por edhe për ngjarje të kaluara.

Hita: “Tashmë që sezoni turistik pothuajse ka mbaruar, fokusi i punës tonë do të jetë intensifikimi i hetimeve për dokumentimin e ngjarjeve kriminale, edhe të atyre të ndodhura vitet e kaluara. Goditja pa kompromis e grupeve kriminale që veprojnë në qytet dhe evidentimi i çdo veprimtarie të paligjshme të tyre. Do t’ju mbështes me burime njerëzore, duke krijuar struktura të specializuara për hetimin e krimeve të rënda dhe kundër krimit të organizuar, por edhe me bazë logjistike. E rëndësishme është reagimi profesional dhe përkushtimi i strukturave aktuale.”

Në lidhje me ngjarjen, po ushtrohen kontrolle edhe nëpërmjet dronëve në territore të ndryshme në zonën e Sarandës dhe Delvinës, ndërkohë që grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për administrimin e çdo prove që do t’i shërbejë hetimit.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion