“Lumë” kredish për biznes dhe shtëpi, stoku i huave të dhëna nga banka kalon një trilion lekë

Kreditimi po merr një rol gjithnjë e më të madh në ekonominë shqiptare teksa bizneset kërkojnë financim për investime dhe zgjerim ndërsa familjet po shtojnë huamarrjen, veçanërisht për blerjen e një banese.
Shifrat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se viti 2026 po shoqërohet me një rritje të vrullshme të kredisë së dhënë nga bankat. Për herë të parë stoku total i kredisë për ekonominë në korrik arriti në 1 trilion e 710 mln lekë ose rreth 10.8 miliardë euro. Totali i financimit të dhënë nga bankat për bizneset, korporatat publike dhe individët.
Ndërkohë vlera e kredisë së re të dhënë gjatë 7 muajve të parë të vitit arriti në 261.1 miliardë lekë nga 231.8 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë duke shënuar një rritje prej 12.6%.
Bizneset vijojnë të marrin pjesën më të madhe të financimit bankar. Vetëm gjatë korrikut, kreditë e reja për korporatat private arritën në 24.2 miliardë lekë nga 19.1 miliardë lekë një vit më parë duke shënuar një rritje prej rreth 26.8%.
Edhe më e fortë rezulton rritja e huamarrjes nga individët. Kreditë e reja për individët arritën në 13.9 miliardë lekë gjatë korrikut ose rreth 42% më shumë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Ky është gjithashtu niveli më i lartë i regjistruar për një muaj korrik gjatë periudhës së të dhënave të publikuara.
Një nga shtysat kryesore të kësaj rritjeje mbeten kreditë për blerjen e banesave. Gjatë 7 muajve të parë të vitit, qytetarët kanë marrë 41.9 miliardë lekë kredi për blerjen e shtëpive nga 40.8 miliardë lekë që kishin marrë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Me rritjen më të fortë gjatë muajit korrik. Kërkesa për financim për banesa vijon kështu të mbetet në nivele të larta duke konfirmuar interesin e familjeve për tregun e pasurive të paluajtshme.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se gjatë këtij viti kreditimi është zgjeruar në të gjithë sektorët e ekonomisë kryesisht në monedhën vendase.
Rritja e kredisë për bizneset dhe familjet sinjalizon një kërkesë më të lartë për financim ndërsa dinamika e kredive për banesa tregon se tregu i pronave vijon të mbetet një nga drejtimet kryesore ku po kanalizohet huamarrja e qytetarëve.


